Avokati Spartak Ngjela ka ripërsëritur edhe njëherë se Rusia ka në axhendën e saj, destabilizimin e Ballkanit përmes të korruptuarve, gjë që sipas tij, deri më tani ka rezultuar një flluskë sapuni.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, avokat Ngjela theksoi se disa politikanë dhe pushtetarë të korruptuar në Shqipëri janë vënë në shërbim të Moskës nga frika e drejtësisë së re që mbështetet fuqishëm nga Uashingtoni dhe Brukseli.
Por megjithatë, ai theksoi se ata nuk mund ta bëjnë realitet planin e tyre ogurzi, pasi janë kapur gafil, përmes vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden që shpalli persona “non grata” të gjithë të korruptuarit dhe personat që janë investuar për destabilizimin e Ballkanit.
“E patë, SHBA-ja mbajti qëndrim dhe vuri sanksione. Ky vendim është me sanksione është kërcënim i hapur për ata që mendohet se po destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, në politikë dhe më gjerë. Urdhër ekzekutiv i zgjeruar i lëshuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe që synon ata që konsiderohen se po destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, është një reflektim i shqetësimit të madh në Uashington për sa i takon drejtimit që ka marrë rajoni, ndikimit në rritje të Kinës e Rusisë dhe dobësisë së politikës së BE-së”, – deklaroi ai.
Më tej avokat Ngjela akuzoi presidentin Meta se është njeriu i Rusisë. “Ai u bashkua me kundërshtarin e NATO-s, me Rusinë. Një president i vendit të NATO-s ka shpresë te Moska. Kjo u jep forcë negative të gjithë shkeljeve, sepse jep motiv”, – u shpreh ai.
Po ashtu, avokat Ngjela zbuloi se prania e trupave amerikane në vendin tonë, bllokoi sipas tij, destabilizimin e vendit nga të korruptuarit. “Këta janë të trembur. Pse nuk e bënë kryengritjen më datë 26? Pas zgjedhjeve? Sepse janë trupat amerikane këtu. Prandaj se bënë. Amerika vendosi forcën atje”, – nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post