Avokati i njohur Spartak Ngjela është i bindur se Joe Biden, i cili ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, do të sjellë një ndryshim të madh jo vetëm në Amerikë por edhe në Shqipëri.
Sipas tij ndryshim drastik i politikës amerikane nga presidenti Biden, do të jetë një aspekt i ri për çështjen shqiptare.
Deklarata e Ngjelës:
“Politka e re amerikane dhe Shqipëria
Politika amerikane po ndryshon dhe është duke dalë nga dëmet e mëdha që i shkaktoi asaj dhe Perëndimit, në katër vjet, Donald Trump.
Ka qenë histori e hidhur për Amerikën dhe të gjithë Perëndimin, nënshtrimi prej lakeu që ish presidenti Trump i bëri me lëshime dëmtuese politikës ruse. Por, po kështu ka qenë edhe për të dy shtetet shqiptare në Ballkan Perëndimor.
l.
Në Shtetet e Bashkuara, tani, presidenti Joe Biden po ndërton me shpejtësi politikën e re amerikane. Ai u shpreh hapur dje, në datën 4 shkurt, për ndryshimin tërësor të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, dhe e dha këtë me një doktrinë të pastër që qetësoi të gjithë Perëndimin.
Në lidhje me këtë, dhe në një formë të drejtpërdrejtë, midis të tjerave, Biden deklaroi:
“Ditët kur Shtetet e Bashkuara qendronin pasive përballë veprimeve agresive të Rusisë, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike dhe helmimin e qytetarëve të saj, kanë marrë fund”.
Më hapur se kaq nuk mund të flitet, por, fakti që presidenti i Amerikës po flet kaq hapur dhe me gjuhë të drejtpërdrejtë, tregon se gjithçka e dëmshme ka dalë tani jashtë nga qerthulli rus i Trump-it, dhe politika amerikane do të vijojë të neutralizojë të gjitha dëmet që i janë shkaktuar Amerikës.
ll.
Ajo veprimtari antiamerikane, e ndërmarrë nga një i çmendur, si histori e një politike nënshtruese ndaj Rusisë, e
ka dëmtuar edhe Shqipërinë në reformën e vet, por dhe në të gjithë prestigjin e saj kombërar, ngaqë Trump ka përkrahur, edhe pse në një formë të fshehur, interesin rus dhe atë serb në lidhje me dobësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kurse tani po ndryshon gjithçka dhe shqiptarët kanë filluar të përfitojnë sërish ndihmën cilësore që po iu vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithsesi, brenda këtij kursi të ri proshqiptar, na duhet të pyesim: si janë krerët e politikës shqiptare sot, a do t’i përgjigjen me intelekt të lartë politik motivit të reformuar proshqiptar nga politika e re e Uashingtonit?
Kjo sigurisht do të jetë një çështje që do të ketë përplasje në Shqipëri, sepse këta krerë, në të përgjithshmen e tyre, janë të korruptuar dhe kanë parë me shpresë nga Moska dhe nga Beogradi. Por, sigurisht, nuk do ta kenë aq të lehtë kundërshtimin e tyre, sepse provat për bashkëpunimin e tyre me Moskën dhe Beogradin i ka edhe politika amerikane, madje, njërit nga super të korruptuarit e lartë shqiptarë, ia kanë paraqitur.
Në funksion të këtij fakti, në politikën shqiptare do të ketë risi, sepse Perëndimi nuk do të lejojë influencë ruse në Ballkanin Petëndimor, dhe politika amerikane pritet që shumë shpejt të fillojë goditjen e influencës ruse te krerët e politikës shqiptare, madje edhe në median elektronike”, shkruan Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post