Avokati Spartak Ngjela ngriti alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet vendi, duke deklaruar se korrupsioni i lartë shtetëror po na shkatërron çdo ditë e më shumë dhe pasojat i vuajnë njerëzit e thjeshtë.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Ngjela deklaroi se politika amerikane me drejtësinë e re do t’i japin goditjen e rëndë korrupsionit të lartë shtetëror dhe shqiptarët do të marrin shpërblimin e merituar. Sipas tij, vendi ka herë drejt vetëshkatërrimit, duke theksuar se vetëm SPAK mund ta ndalë.
“Shqiptarët po presin që me anë të SPAK-ut dhe ndërhyrjes ndihmuese të politikës amerikane, të shpëtojnë nga pushtimi çnjerëzor që iu ka bërë korrupsioni i lartë shtetëror. Sot është e qartë për këdo: korrupsioni i lartë shtetëror po shkatërron jetën e shqiptarëve. Por, gjithkush e di që, vetëm goditja penale kundrejt krerëve të korrupsionit shtetëror, do të jetë shpëtimi i tyre. Jeta e rrezikuar e shqiptarëve përballë grabitësve të vlerave materiale: ky është ekuacioni i sotëm që duhet shkatërruar nga SPAK-u. Këtë po presin shqiptarët nga politika amerikane. Shpejtimin e tyre. Korrupsioni i lartë shtetëror, shqiptarët i ka lënë pa atdhe. Shqiptarët sot masivisht duan të lënë Shqipërinë. Janë në dëshpërim historik. Në fakt, ky është dëshpërimi që shqiptarët ia kanë shkaktuar shqiptarëve. Domethënë Shqipëria ka hyrë në vetëshkatërrim”, – tha Ngjela.
Më tej, avokati deklaroi se tashmë ka ardhur koha që SPAK të ngrejë akuza ndaj krimit të lartë shtetëror në Prokurorinë e Posaçme, duke shtuar se “të revoltuarit” mezi presin dënimet nga drejtësia e re.
“Pesimistët nuk besojnë se mund të ndryshojë kjo gjendje, kurse të revoltuarit presin ndëshkim nga SPAK-u, kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Tani që Prokuroria e Posaçme u ngrit, detyra e SPAK-ut duhet të jetë: ngritja e akuzave për korrupsionin e të korruptuarve të lartë. Vetëm ky proces i krijon njëherësh Shqipërisë zhvillimin ekonomik dhe shqiptarëve mundësinë për të rifituar atdheun e tyre të grabitur në të gjitha vlerat. Por kjo arritje, që po vjen me anë të ndihmës së politikës amerikane, është në fakt shpërblimi që shqiptarët presin të marrin si mirënjohje për proamerikanizmin e tyre të pashoq sot në rrafsh botëror. Dhe patjetër që do ta marrin”, – u shpreh avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post