Avokat i njohur, Spartak Ngjela foli dje në lidhje me rikthimin e Lulzim Bashës në krye të PD, pasi ky i fundit zhvilloi një takim dy ditë më parë me të rinjtë. Në një intervistë televizive, ai theksoi se dalja e tij ishte vetëm një rast dhe nëse do dalë disa herë konceptohet se ai vërtetë do të rikthehet. Sipas tij, Basha kthehet sepse ia kërkuar politika që ka përkrahur, referuar këtu amerikanëve.
“Kthimin e Bashës duhet ta perceptojmë si raport. Flasim për logjikën Kantiane. Nëse e shohim si raport, kuptohet se do të ketë ndërhyrë politika amerikane dhe po kthehet në PD-në zyrtare, se ajo tjetra nuk është parti. Saliu nuk ka parti, ka kështu tur popullor, të shohim çfarë do ndodhë. Nëse do të jetë një kërkesë e politikës që e ka kërkuar. Do të shohim pra se kush ja ka kërkuar, sepse ne kemi aleancë me Uashingtonin. Ose është kërkesë e tyre dhe ky hyn për të plotësuar vendin, sepse kemi një boshllëk juridik. PD nuk ka kryetar zyrtar. Ka gjithmonë një kryetar të komanduar që vjen si kryetar grupi. Mos është ky hapi i parë që Basha do hyjë përsëri dhe të kërkojë një Kongres që të bëhet kryetar ligjor i PD? Nuk e di. Janë gjëra që nuk i marrim dot me mendje, por po flasim për logjikë. Pra, nëse vijon takimet, jemi të sigurt se në Kongres garon për kryetar partie”, deklaroi ai. Më tej avokati theksoi se nëse PD mban zgjedhjet për kryetarin, i vetmi që nuk kandidon dot është Sali Berisha. Sipas tij, ai është përjashtuar dhe fakti që është “non grata”, Statuti e ndalon të kandidojë.
“Berisha nuk ka të drejtë kandidimi. E kanë përjashtuar nga partia ligjore prandaj ka dalë në foltore. Nuk konkurron dot. Por anëtarët e tjerë që nuk janë përjashtuar dhe nuk kanë bërë skerco antiamerikane kanë të drejtë të konkurrojnë. Por nëse bëhet një kongres partie nuk ka se si të mos thirret Basha. Basha bëri akt të madh për interesin kombëtar. U bashkua me aleatin kryesor, i cili mban shqiptarizmin gjallë. Pse ne e morëm Kosovën? Janë dy shtete shqiptare, por partitë janë ku thërret qameti. Tani e djathta do jetë në hije dhe Shqipëria do jetë vend monopartiak siç është defakto? Jo mendoj unë, se dhe ata që drejtojnë si aleatë, janë në doktrinën e tyre që nuk ndalohet pluralizmi politik. Atëherë çfarë do presim? Nëse ka një tjetër takim nga Basha, atëherë ka një kërkesë nga politika amerikane dhe do ndërtohet nga e para një parti e djathtë siç është PD. Këtu pamë edhe një akt tjetër, që Alibeaj dha dorëheqjen. Ai hapi rrugën për Kongresin. Kur shohim që kreu i ri i grupit, që është kryetari i komanduar do shkojë drejt Kongresit pasi të dalë Basha? Duhet të shohim”, nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post