Avokat Spartak Ngjela ka zbuluar dje se në Shqipëri ka trokitur lufta kundër korrupsionit. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, avokat Ngjela theksoi ditën e djeshme se amerikanët janë të vendosur për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri, ndërsa solli si shembull shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas tij, vendi i SHBA për Berishën është i drejtë.
“Ne kemi një goditje antikorrupsion nga politika amerikane. Sali Berisha është goditur me “non grata” me korrupsion, me korrupsion që ka cenuar dhe sigurinë amerikane. Kësaj duhet t’i qëndrojmë. Këtu fillon i gjithë problemi. Atëherë, në 10 shtator, hapet Parlamenti. Uashingtoni ka thënë që ai nuk duhet të jetë në Parlament. I gjithë problemi është që personat që ndodhen “non grata” në Amerikë dhe që kanë bërë krim, nuk mund të certifikohen si deputetë në Kuvend”, – deklaroi ai.
Më tej avokat Ngjela shprehu bindjen se nisur nga vendosmëria e amerikanëve për të goditur korrupsionin në nivele të lartë zyrtarësh, sipas tij, ish-kryeministri Sali Berisha, është “preja” e parë e reformës në drejtësi.
“Mund të jenë disa. Unë thash që fillimi me Saliun antikorrupsion hap skamjon. Këtu po hapet fushata, për antikorrupsionin dhe me një figurë të lartë. Këtu fillon analiza, kjo do të pasohet dhe me emra të tjerë. Do të marri forcë Byroja Kombëtare e Hetimit. DASH e ka akuzuar për korrupsion. Nuk ka nevojë për më shumë për Shqipërinë. Nuk ka luksin Shqipëria për të thënë që jemi me Saliun”, – u shpreh ai.
Ndërkohë, avokat Ngjela theksoi se amerikanët kanë dosje për pushtetarët shqiptarë. “Ata të izolojnë. Të gjithë provat që përdorin DASH janë prova që vijnë nga FBI. Ne nuk e dimë se çfarë ka cenuar Sali Berisha. Do një rrugë, shko në Gjykatën Federale të Uashingtonit”, – nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post