Avokat Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në të cilën ndodhet vendi, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të klasës politike që ka drejtuar Shqipërinë gjatë këtyre 30 viteve post rënies së komunizmit.
Përmes një analize të hollë, avokat Ngjela paralajmëroi se drejtësia e re është ajo që do të tronditë politikën shqiptare. Por që të ndodhë kjo, ai zbuloi se pas organeve të reja të drejtësisë fshihen amerikanët, të cilët sipas tij, janë të vendosur për të shfarosur korrupsionin në Shqipëri. Sipas tij, politikanët në Shqipëri janë në segmentin e fundit të “mbretërimit” të tyre të pështirë.
“Dihet! Historia e gjatë e korrupsionit dhe grabitjes së popullit, gjithmonë ka pasur një fund. Edhe këta tanët, tani janë në segmentin e fundit të “mbretërimit” të tyre të pështirë. Janë të humbur. Mbajeni mend këtë. Po ku janë provat? më pyesin. Pse, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka ndonjë interes personal kur iu thotë shqiptarëve: “korrupsioni dhe padrejtësia shqiptare do të shkatërrohet shumë shpejt”? Pse, ju mendoni se politika amerikane do të dështojë në vendosjen e drejtësisë, dhe në eliminimin me rrënjë të korrupsionit të lartë shtetëror, në Shqipëri? Këto dy pyetje, që e kanë përgjigjen brenda tyre, janë të mjaftueshme për atë që di të mendojë. Por, pyetja më themelore është kjo: kush na siguron se edhe ata që do të vijnë në pushtet pas tyre, nuk do të jenë si këta? Kjo është pyetja që e ngrenë të gjithë, dhe, duke qenë skeptikë, ata nuk besojnë se mund të ndryshojë ndonjë gjë në Shqipëri”, shkruan ai.
Më tej avokat Spartak Ngjela ka bërë edhe një analizë të hollë të arsyeve se përse ne jemi ende larg Bashkimit Europian.
“Pse ende jemi larg prej Bashkimit Europian? Sepse Shqipëria ende është një shtet i zakonshëm, i qeverisur pa ligj dhe me korrupsion. Të gjithë shqiptarët duan ta shohin shtetin e tyre të jetë brenda spektrit juridik të Bashkimit Europian. Deri njëqind vjet përpara, nuk ishin të pakët ata që donin të bashkonin Shqipërinë sërish me Turqinë. Sot këta janë shuar, edhe pse ca hoxhallarë të paguar nga Beogradi dhe Moska, flasin në tym dhe në mënyrë groteske kundër shqiptarisë dhe Perëndimit. Por shqiptarët qeshin me ta. Pavarësisht gjithçkaje: Bashkimi Evropian është sot motiv i kulluar për shqiptarët. Por, pse gjithmonë kemi ngecur? Pse gjithmonë na ka vënë kushte Brukseli në afër 30 vjet? Këtu ka diçka që i afrohet së vërtetës, sepse e vërteta historike na thotë se: Shqipëria, në njëqind e tetë vjet, ka mbetur një shtet i zakonshëm, i drejtuar pa ligj, pa drejtësi dhe me korrupsion. Kjo është dobësia: Shqipëria është ende një shtet i zakonshëm”, nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post