Ardhja e ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim është komentuar nga të gjithë dhe është pritur me entuziazëm nga palët politike. Kim është cilësuar si ajo që do të luftojë krimin dhe korrupsionin. Sakaq ditën e djeshme ka reaguar edhe avokati Spartak Ngjela, i cili ka deklaruar se ardhja e Kim ka thurur shpresë tek të gjithë që mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin, si dhe ka theksuar se forca tani është tek SPAK.
“Forca tani është SPAK-u. Politika amerikane duhet t’ua japë shqiptarëve mundësinë historike të eliminimit të klikës së lartë korruptive, dhe fillimin e procesit real të zhvillimit ekonomik në Shqipëri: prodhimi industrial i mallrave; reforma e cilësisë së lartë në arsim; krijimi real i ushtrisë shqiptare; ristrukturimi real institucional modern i shtetit shqiptar; shkatërrimi përfundimtar i krimit të organizuar, të lidhur me kupolat qeveritare që kanë ardhur, kanë ikur, e kanë ardhur sërish në pushtet. Kjo është skema reale e zhvillimit modern të Shqipërisë, zhvillim ky, i cili merr me vete si histori edhe krijimin e shpirtit të lirë shqiptar në Kosovë dhe në të tetë milionët e shqiptarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Ngjela.
Ndër të tjera avokati ka thënë se sot vendi gjendet në një gjendje të lodhur shoqërore, e cila sipas tij nuk duhet të vijojë me këto ritme, pasi mund të shkoj më keq se kaq. Andaj Ngjela ka propozuar se duhet frenuar ky ritëm i shfrenuar i gjendjes shoqërore dhe kjo duhet të bëhet nëpërmjet politikës amerikane.
“Ku jemi sot? Sot ndodhemi në një drobitje të brendshme shoqërore, e cila, po të vijojë, për Shqipërinë, do të krijojë fillimin e të keqes së madhe të shekullit XXI. Prandaj duhet frenimi i shpejtë, me anë të forcës së politikës amerikane. Duhet të kemi parasysh se, fillimi, si nisma e një fenomeni të keq për një shoqëri, mban me vete edhe fundin shkatërrimtar të saj, nëse ajo shoqëri nuk e bllokon dot atë fenomen që në fillim. Kjo është gjendja jonë. Fenomeni i keq ka filluar. Reforma e nisur me ndihmën e Uashingtonit, Berlinit dhe Brukselit duhet ta frenojë atë, madje, sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post