Prokuroria Speciale nuk i ndahet ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas përballjes së fortë me të në Apel dhe kopsitjen e dosjes për fazën finale në Gjykatën e Lartë, duket se SPAK ka nisur të tundë sërish kambanat ndaj ish-ministrit.
Pak kohë më parë u zhvillua një super operacion, kur u zbulua se ish-truprojat e tij ishin të përfshirë në trafiqe droge. Pas largimit të Tahirit ata ikën jashtë shtetit, por dje kanë rënë në pranga falë bashkëpunimit të SPAK, me Interpol, SHBA dhe shtetet partnere në BE.
Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani, ndërsa Paul Deda është arrestuar në Francë. Emrat e këtyre të pandehurve dolën në përgjimet e operacionit ndërkombëtar të koduar “Shpirti”, qëllimi i të cilit ishte të vendoste në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë, të përfshirë në trafikim të drogës.
Ndërkohë, ish-truprojat të cilët ishin pjesë në grupin e shoqërimit të ish-ministrit Tahiri gjatë viteve 2014-2016, akuzohen se kanë bashkëpunuar me 4 italianë dhe një shqiptar, përkatësisht shtetasin E. B. dhe së bashku kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt shtetit fqinj të Italisë. Kjo sasi lënde narkotike iu sekuestrua dy të arrestuarve në Bari, shtetasve F. S. dhe F. A. dhe SPAK ka akuzuar Dedën dhe Markun se kanë kultivuar drogë me shtetasin E. B., për të tentuar dorëzimin e kësaj sasie droge 4 italianëve. Ndërsa, Prokuroria e Posaçme ka përgatitur dhe dërguar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tyre në Shqipëri. Mësohet gjithashtu se, Paul (Agustin) Deda ka kërkuar azil politik dhe derisa kërkesa e tij të shqyrtohet, ai do të qëndrojnë nën masën e detyrimit për paraqitje dhe nuk i lejohet lëvizja jashtë shtetit.
Rolet e shoqëruesve të Tahirit
Njëri prej të penduarve të grupit të trafikantëve, në deklarimet që ka dhënë para prokurorëve, ka treguar rolin që kishin dy shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm.
“Në Shqipëri jemi takuar me një mik të Malton Lleshit që quhet Pingio dhe me një tjetër me emrin Gusti e tjetri me emrin Hekuran, që erdhën për të folur për punën e bombës e të lekëve që donte Malton Lleshi, Hekuran e Gusti thanë që ishin badigardet e ministrit të Brendshëm shqiptar, me emrin Sajmir Tahiri të tre thanë që kishin drogë për të dërguar në Itali e me transportin e të cilës do të paguanim borxhin që kishim me Lleshin”, – ka thënë ai.
I penduari Hajdini ka rrëfyer se së bashku me disa persona të tjerë ishin vënë në dispozicion për të ngarë gomonen, e cila ishte ngarkuar me drogë. Ai u shpreh se Hekuran Marku dhe Agustin Deda ndryshe i njohur si Gusti, kishin ngarkuar marijuanën nga fugonat në gomone.
“Theksoj, që Pingio më kishte marrë kur ishim në Itali e tha që për të paguar borxhin me Lleshin, mund të bënim për të, një rrugë droge në Itali. Unë ia thashë Timit, i cili pranoi, unë dhe Seferi për t’i paguar borxhet Malton Lleshit, u vumë në dispozicion për të ngarë gomonen e ngarkuar me drogë. Pas këtyre akordeve, unë dhe Seferi u nisëm nga Italia për në Shqipëri, ishte data 19 dhjetor, u nisëm me gomone. Pingio, Gusti, Hekurani e tre katër djem, erdhën nga Tirana, ku kishim lënë gomonen, me furgonët e ngarkuar me drogë, ishin tre me targë Tiranë. Ata na ngarkuan gomonen me marijuanë”, – ka vijuar i penduari i drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post