Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati ka reaguar për herë të parë pas nisjes së hetimeve nga SPAK në lidhje me akuzat e PD. Bushati thotë se e gjitha ka ndodhur që PD të përfitojë politikisht ndërsa për hetimet e SPAK thotë se ka besim te drejtësia shqiptare.
Përpjekje për të përfituar politikisht i quan Ervin Bushati akuzat e PD pas nisjes së hetimeve nga SPAK për fshehje të pasurisë. Në një reagim të parë për Report tv, deputeti i PS shprehet besimplotë për drejtësinë shqiptare.
Prononcimi i plotë:
Keni ndonjë koment në lidhje me hetimin nga SPAK për mosdeklarim pasurie?
Ky është një avaz i vjetër i Partisë Demokratike. Kam shumë besim te drejtësia shqiptare. Kam votuar për këtë që të arrijmë në këtë ditë. Më vjen keq që PD ngatërron luftën politike me luftë ligjore. Këto janë që në 2017-n. Një gjyq e ka humbur kunati i z. Basha, edhe këtë do ta humbë. Janë çështje pas sens.
Mendoni se do të ketë kosto politike duke qenë se jeni edhe bashkëdrejtues i Qarkut të Tiranës?
PD prandaj e ka bërë këtë. Megjithatë njerëzit e kuptojnë të vërtetën. Më vjen keq në fakt. Unë e kam të shenjtë familjen, e kam të shenjtë pronën, ashtu siç e kanë edhe çdo mbështetës i Partisë Demokratike. Besoj se më dëgjojnë anëtarët e PD-së dhe distancohen nga këto akte të pështira të një sekretari pervers të Partisë Demokratike.
SPAK ka nisur hetimet për deputetin e PS-së, Ervin Bushatin pas akuzave të PD-së për fshehje pasurie dhe Prokuroria e Posaçme do të hetojë për falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve të deklarimit të pasurisë.
Diskutime rreth kësaj post