Prokuroria e Posaçme kërkon konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të Redjan Rrajës. Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku dhe u plagos “Rrumi i Shijakut”.
Pas disa seancave gjyqësore dhe një sekuestroje të vendosur më herët, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të lejojë konfiskimin e pasurive të Rrajës. Ai është nipi i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja.
Nëse togat e zeza pranojnë kërkesën e prokurorëve, Redjan Rraja do të humbasë të gjitha pasuritë dhe ato do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për prona në emër të tij dhe personave të tjerë, por që burim dyshohet se ka qenë aktiviteti i Rrajës.
Pasuritë e Rrajës, që përfshijnë apartamente, garazhe, një orë e kushtueshme “Rolex” dhe makina, janë sekuestruar në tetor të vitit 2021, ndërkohë vjet SPAK dërgoi dosjen e në Gjykatën e Posaçme dhe kërkon konfiskimin e tyre e kalimin në pronësi të shtetit.
Mes mjeteve të sekuestruara dhe për të cilën kërkohet konfiskimi, është dhe një Audi luksoz model A8, që Redjan Rraja e kishte kaluar në pronësi të modeles Kejvina Kthella. Prokuroria Speciale tha se edhe përse është në pronësi të modeles, mjeti zotërohet në mënyrë të tërthortë nga nipi i deputetit socialist.
Ndërkohë, përsa i përket dy pasurive të tjera, është zbuluar gjatë hetimit se ato janë kaluar në pronësi të familjarëve të Elton Çiços. Ky i fundit u ekzekutua me dy plumba më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok. Për ngjarjen, Policia shpalli në kërkim Jani Aliaj dhe Renato Milloshin.
Redjan Rraja ka deklaruar në Apelin e Posaçëm se kishte në pronësi tre klinika stomatologjike dhe me to siguronte të ardhura të konsiderueshme, duke mohuar përfshirjen në aktivitete të tjera.
Diskutime rreth kësaj post