Dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK që kërkon ti hapet rrugë arrestimit të Sali Berishës, janë depozituar në Kuvend. Bëhet fjalë për raportin e mazhorancës, ndërsa raporti tjetër është i deputetit Enkelejd Alibeaj përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve.
Vlen të theksohet se të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në raportin e dorëzuar nga Enkelejd Alibeaj.
Raporti i deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Ndërsa në raportin e mazhorancës theksohet: “Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale. ”
Raporti i deputetëve anëtarë të mazhorancës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Ndërkohë nesër, më datë 21.12.2023 do të zhvillohet seanca e radhës plenare, ndërsa pika e parë në rendin e ditës është heqja e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Diskutime rreth kësaj post