Telashet për familje “Berisha” do të shtohen. Sipas avokatit të njohur, Idajet Beqiri, Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të hapë një dosje tjetër për Liri Berishën, Argita Malltezin dhe Shkëlzen Berishën. “Është një procedurë normale pasi merresh i pandehur, organi i akuzës përgatit kërkesën për gjykim dhe aktin e përfundimeve të hetimeve. I merr të gjitha aktet dhe ke të drejtën të deklarohesh në e pranon apo jo akuzën, në rast se nuk e pranon akuzën, do të thuash akuzën e nga ana tjetër ke të drejtën t’i kërkosh organit të akuzës se çfarë veprimesh të tjera ajo duhet të bëj me qëllim që të plotësoj më mirë hetimet në rast se ka. Këto kërkesa nëse do t’i parashtrosh i parashtron në mbylljen e hetimit me shkrimin tënd e ia dërgon SPAK-ut dhe më pas ato analizojnë nëse do t’i pranojnë apo jo.
Në rast se marrin vendimin që nuk i pranojnë se i kanë ezauruar të gjitha problemet dhe të gjitha çështjet pasi kanë dosje të kopsitur, në një situatë të tillë do të dërgohet çështja në gjyq. Do të shkojnë se gjyqtari i seancës paraprake, ku ky i fundit ka të drejtën ose të kaloj çështjen në gjyq ose ta kthej për rihetim duke dhënë detyra dhe afate konkrete se kur duhet të plotësohen ato mangësi në rast se ka ose të vendos pushimin e çështjes. Në ato 500 faqe të akuzës kanë dalë, sidomos familjarët e Berishës, të akuzuar drejtpërdrejtë dhe janë të bindur se nëse nuk janë pjesë e hetimit dhe bashkëpunëtor në këtë krim, si zonjë Liri apo Argita, Shkëlzeni e Jamarbëri, ato po e kuptojnë shumë mirë se këtu po hetohet kompleksi “Partizani”.
E si e tillë ato dalin në këtë çështje indirekt si persona që kanë bërë pastrimin e produkteve që rrjedhin nga një krim por si i kanë bërë konkretisht, ato do të merren në një tjetër hetim dhe do të pyeten njëri pas tjetrit dhe shumë shpejtë do të kemi dhe akuzat që do të ngrihen ndaj tyre. Edhe për korrupsion pasiv, edhe për pastrim të produkteve që rrjedhin nga një krim edhe për fshehje të të ardhurave dhe mos deklarim të tyre, do të presim shumë prej tyre”, shprehet Beqiri për gazetën “SOT”.
Çfarë ka ndodhur?
Nga ana tjetër Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur për aferën ‘Partizani’ i shfrytëzuan maksimalisht 10 ditët për të bërë prapësimet mbi dosjen 500 faqëshe me prova të Prokurorisë së Posaçme. Avokatët mbrojtës kanë dorëzuar në fundjavë argumentet e tyre, për çështjen e cila tashmë do të duhet të paraqitet në GJKKO nga ana e SPAK. Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, ka bërë 250 faqe prapësime, ku pretendohet se nuk ka vepër penale dhe se SPAK nuk ka bërë një hetim normal.
Sa i përket pasurive, avokatët pretendojnë se janë të gjitha me burime të ligjshme. Edhe avokatët e Berishës kanë dorëzuar një dokument voluminoz me argumentet e tyre. Prapësime ka bërë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ku në një material prej 15 faqesh, mbrojtja ligjore e tij ka kundërshtuar disa pika në lidhje me provat e SPAK për të, nën akuzë për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Financierja Andia Pustina dhe Xhimi Begeja po ashtu brenda afatit 10 ditor nga njoftimi i akuzës bënë kundërshtimet e tyre. Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen “Partizani”, me 5 të pandehur, më 25 shtator. Tashmë dosja prej 500 faqesh e përpiluar nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kalon në GJKKO, e cila brenda 10 ditësh me short elektronik zgjedh një gjyqtar për seancën paraprake.
I takon këtij gjyqtari të cilit do t’i duhet kohë të vendosë nëse janë kryer hetime të plota, nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme ose të pushohet. Me ndjekjen e procedurave, maksimumi në fund të tetorit pritet të kemi seancën ku do të vendoset për fatin e dosjes ‘Partizani’. Kjo do të jetë përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i hapur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese. Berisha dhe Malltezi vijojnë të jetë nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Ish Kryeministri përmes pushtetit në vitet 2005-2013 lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin që dhëndri i tij të privatizonte ish klubin Partizani, ku Malltezi ndërtoi 19 kulla dhe fitoi miliona euro.
Diskutime rreth kësaj post