Mbështetja e drejtuesit politik të Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Edmond Spaho ndaj “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha ka shkaktuar trazira brenda Partisë Demokratike. Pak ditë më parë deputeti Spaho bëri me dije se do merrte pjesë në Foltoren e Berishës, ndërkohë që ky vendim ngjalli reagimin e ashpër të kolegu të tij nga i njëjti qark, Ervin Salianji, i cili komentoi veprimin e zotit Spaho, duke i rreshtuar edhe arritjet brenda forcës politike. Por nuk ka vonuar dhe deputeti demokrat Spaho i është përgjigjur “flakë për flakë” zotit Salianji. Përmes një statusi në rrjetet sociale dhe të mbushur me ironi, zoti Spaho me ironi e quan Salianjin “mitralozin” e partisë, ndërsa thotë se për të gjitha arritjet ka investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione, e se të gjitha janë të bazuara me votë.
“Replikë e detyruar me Mitralozin e Partisë. Mendimet e mija nuk ua imponoj askujt, kushdo që i lexon të gjykojë sipas bindjeve të tij. Kjo vlen edhe për kolegët e Grupit Parlamentar. Çdo njëri prej tyre të më kritikojë me argumente, madje ashpër, por pa fyerje dhe denigrime. Fjalën e lirë dhe norma të tjera demokratike po kërkojmë të vendosim në PD. Çuditërisht, dje në mbrëmje në një stacion televiziv, Mitralozi i Partisë filloi te mitralojë duke u përpjekur të më ofendojë dhe ulur në sytë e opinionit publik. Mitraloz, për të gjitha arritjet kam investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione dhe i kam arritur me konkurrim dhe votë. Ne vitin 1997, pasi lashë ministërllëkun, rifillova në PD si sekretar seksioni në lagjen time. Unë vetëm të ndenjurat kam të mijat, karriget janë të institucioneve”, shkruan ai.
Më tej Spaho i kujton Salianjit të jetë i vëmendshëm.
“Edhe një këshillë të fundit për Mitralozin. Mund t’i vlejë edhe mitraljerëve. Kujdes me fjalët se nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar t’i regjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën”, nënvizoi Spaho.
Diskutime rreth kësaj post