Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka theksuar se deklarata e sotme e presidentit francez, Emanuel Macron rreth liberalizimit të vizave, e cila për shkak të përkthimit u interpretua si pezullim i procesit, nuk është një kërcënim, por është paralajmërim për Kosovën.
“Mendoj se të gjitha këto elemente së bashku u bënë pas një deklarate e cila krijoi paqartësi dhe u diskutua gjatë tërë ditës duke filluar nga gjuha e përdorur e presidentit francez deri te sqarimi nga kabineti i tij në pasditen e sotme. Sidoqoftë duhet kuptuar që kjo është një vërejtje, nuk do ta quaja kërcënim. Është një paralajmërim që i bëhet Kosovës sidomos qeverisë së saj”, tha Spahiu në RTK.
Ai tha se në deklaratën e Macronit nuk ishte problemi vetëm te përkthimi.
“Përkthimi ishte në atë aspektin se nuk u tha nga Macron që Franca definitivisht është kundër liberalizimit të vizave, por ajo mund të vihet në pikëpyetje në qoftë se nuk e mban fjalën qeveria kosovare. Tani se për çfarë e kishte fjalën ai është një çështje që duhet diskutuar”.
“Çfarë i është premtuar dhe çfarë nuk është bërë. Është një paralajmërim se tani Bashkimi Evropian do të jetë më aktiv, shumë i ashpër në vazhdimin e dialogut dhe kërkesat sidomos për formimin e Asociacionit do të jenë më të drejtpërdrejta dhe më të vendosura”, ka shtuar Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post