Për herë të katërt brenda dy viteve, policia ka arrestuar një 60-vjeçar, i cili në pamundësi për të paguar faturën e energjisë elektrike e ka rilidhur atë.
Llazar Ristani, i dënuar së fundmi me 18 muaj lirim me kusht, pret sërish të dalë para gjykatës. Megjithëse invalid, ai nuk ka rreshtur së kërkuari punë, megjithë bashkëshorten, por pa shpresë. Margarita tregon përpjekjet e familjes së saj për t’ia dalë.
“Nuk është vjedhje pasi unë e deklaroj konsumin e energjisë, jam e ndërgjegjshme që e marr këtë energji. Thjesht, jam borxh ndaj shtetit. 8900 lekë janë të ardhurat tona burrë e grua. Kush jeton dot me kaq lekë? Energjia më vjen 6900 lekë, aq sa pensioni i tim shoqi. Me çfarë të jetoj unë?”, thotë gruaja.
Ajo shikon si shpresë të fundit vetëm burgun: “Hipa në furgon dhe i thashë të më marrin edhe mua, pasi në burg jemi më mirë. Të paktën bukë, ujë dhe drita i kemi të siguruara atje”.
I dënuar së fundmi në 26 maj, Llazari e paralajmëroi gjykatën se çfarëdo dënimi të japë drejtësia, ai do të ribëjë të njëjtën gjë. Të gjitha herët që është arrestuar, i moshuari është përfaqësuar nga një avokat i caktuar nga shteti, ndërkohë që detyrimi që kjo familje i ka OSHEE-së është 800 mijë lekë.
Diskutime rreth kësaj post