Nga Silda Anagnosti
Dje opozita bllokoi për një orë disa prej akseve kryesore të vendit, me pretekstin e një proteste paqësore. E megjithëse fjala “paqësore” nuk lidhet kurrkund me togfjalëshin “bllokim rrugësh”, një orshi kaloi pa probleme kryesisht për meritë të menaxhmit të bërë prej Policisë së Shtetit që tashme prej mëse 3 vjetësh po bën atë që çdo polici normale e një vendi normal duhet të bëjë, madje në shumë raste edhe duke treguar më shumë vëmendje e durim se ç’do të kishin treguar simotrat evropiane.
Ndërkombëtarët e stacionuar në vendin tonë prej muajsh e presin me ankth se si do të shkojë kjo lloj proteste, pikërisht sepse me fjalë e vepra, Partia Demokratike nën drejtimin e liderit që po përpiqet me mish e me shpirt të bëjë liderin, ka treguar se nuk para pëlqen që kërkesat t’i bëjë pa i dalë ndonjëçikë tym gjëkundi.
Rreth 1 vit më parë protestuesit e udhëhequr prej tij thyen, shkatërruan e dogjën ç’u doli përpara, përshirë bunkerin simbolik-hyrje në një prej muzeve të Tiranës. Policia, çuditërisht për Lulin, nuk vrau njeri. Madje i la në ekzaltimin e tyre të mjerueshëm duke vënë në peshore sigurinë e jetës së qytetarëve me shkatërrimin e pronës publike. Padyshim që e para vlen më shumë, megjithëse ai nuk e di.
Vetëm para pak javësh Lulzim Basha u bënte thirrje mbështetësve të tij të thyenin xhamat e të çanin gomat e makinave. Por për shkak të presionit të madh publik, nxori justifikimin që nxorrën për Marigonë e Gjinos “shaka ishte, për inat të vjehrrës”.
Dje asnjë polic nuk shtyu askënd. Asnjë oficer policie nuk u lidh me pranga askund për të ndaluar protestën siç ndodhte pak vjet më parë. Madje askush nuk e pengoi atë burrin e çuditshëm që kontrollonte ambulancat a mos po bënin gjasme të sëmurët që prisnin të kalonte “ora e lojës”. E tepruan pak këta të Policisë së Shtetit me provokime se devijuan trafikun që të mos prisnin qytetarët hallexhinj, po nejse, Luli mbase i fal se është zemërgjerë.
Dhe kriza, që filloi si një krizë me kërkesa absurde, e u bë krizë prej vërteti edhe për shkak të afateve ligjore për zgjedhjen e presidentit të ri që përkojnë me mbarimin e mandatit të Kuvendit, vazhdon. Lulzim Basha ka dhënë fjalën që nuk hyn në zgjedhje. Dhe Lulzim Basha është burrë, e burri lidhet nga fjala.
Në shekullin XXI kur vendet e zhvilluara shqetësohen për mosarritjen e barazisë faktike mes burrave dhe grave në qeverisje, kryetari i opozitës sillet sipas Kanunit dhe nuk e kthen fjalën mbrapsht. A thua se burrëria, ky nocion shpellar i viteve të errëta të viseve tona, është ndonjë vlerë evropiane që do të ndihmonte vendin tonë të bëhej shtet.
Dhe së fundi, mirë bëre që e këndove himnin e flamurit. S’ka rëndësi sesa i stonuar je. Dhe unë këndoj për faqe të zezë. Por ai himn na bën thirrje të mblidhemi rreth flamurit me një dëshirë e me një qëllim. E nuk është as dëshira e as qëllimi i shqiptarëve të të kenë ty kryeministër. Dëshira e qëllimi i shqiptarëve është të kenë shtet. Pyetja është: A je ti i zoti?
Ndërkohë, sot vijnë krushqit nga BE-ja. E këta lloj krushqish nuk priten me qofte!
Diskutime rreth kësaj post