Shkarkimi i ministrave me mbi 5 vite në detyrë nuk do të jetë lëvizja e vetme e kryeministrit Edi Rama për të futur në shina qeverinë. Gazeta ka mësuar se drejt largimit janë edhe Sekretarët e Përgjithshëm dhe Drejtorët e Përgjithshëm në ministri, me mbi 5 vite në detyrë. Sot kryeministri do të zhvillojë një takim me të gjithë drejtorët e ministrive dhe sekretarët, ku pritet të njoftojë shkarkimin e disa prej krerëve, ndërsa do japë një sërë detyrash për emrat që do të mbeten. Dje Rama i ka informuar disa prej tyre se pritet të shkarkohen të parët të gjithë Sekretarët e Përgjithshëm me mbi 5 vite në detyrë, ndërsa po ashtu dhe Drejtorët e Përgjithshëm të disa prej drejtorive kryesore në ministri, por dhe në drejtori të ndryshme jashtë tyre. Në takimin që do të mbahet sot, Rama pritet që t’u japë udhëzime të pranishmëve për të rinisur një tjetër reformë në administratën publike. Po ashtu do ketë një ristrukturim total të ministrive. Së pari, Rama sot do të bëjë të ditur se në administratë do të punësohen 1 mijë studentë ekselentë në vend. Kjo vjen në kuadër të premtimit që ai bëri gjatë protestave të studentëve. Por një tjetër detyrë që do u ngarkohet drejtorëve, është ajo e pastrimit të administratës nga militantët e fundit që kanë mbetur. Kur Rama doli në fushatë në zgjedhjet e 2017, premtimi kryesor ishte pastrimi i institucioneve nga parazitët e LSI. Gjatë verës nisi një operacion i tillë dhe u shkarkuan me qindra persona. Por një pjesë e madhe arritën të mbijetojnë përmes manovrave dhe lidhjeve fisnore. Shumë të tjerë u kamufluan si militantë të LSI, ndërsa të tjerë u bashkuan me PS. Por Rama sot do të urdhërojë që të mos mbetet asnjë këmbë militanti në administratë. Fokusi do jetë te njerëzit e LSI, pasi ka shumë nga ata që kanë marrë poste të rëndësishme. LSI u dha statusin e nëpunësit civil shumë drejtorëve dhe shkarkimi i tyre ishte shumë i vështirë. Falë qëndrimit të tyre në detyrë, nuk u shkarkuan dot dhe njerëzit që ata kanë në varësi. Por tani do ndryshojë gjithçka.
Reforma në administratë
Të dielën, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ministrat e rinj dhe ata të vjetër në Elbasan. Aty u diskutua kryesisht për detyrat gjatë vitit 2019, ku një fokus i madh ishte te administrata. Rama ka kërkuar nga emrat e rinj të mos tolerojnë asnjë abuzim shkelje apo militantizëm në administratë. Të gjithë janë udhëzuar që të largojnë militantët nga funksionet. Ky udhëzim do të shkojë për drejtorët, ndërsa dhe Sekretarët e Përgjithshëm të rinj do udhëzohen më vonë që të ndjekin të njëjtën rrugë. Çështja e militantëve në administratë ishte kthyer në mollë sherri në PS. Shumë deputetë përplaseshin me ministrat për këtë arsye. Madje në mbledhje grupi kishte dhe ankesa se ministra të caktuar mbajnë në detyrë militantët e Kryemadhit dhe nuk punësojnë njerëz të PS. Por Rama tani është rreshtuar krah deputetëve dhe ka udhëzuar që të ketë reprezalje në administratë. Por kjo vjen dhe në kuadër të zgjedhjeve, ku shefi i qeverisë si duket po mendon të krijojë sa më shumë vende pune. Socialistët janë shumë të zhgënjyer në këtë aspekt dhe tani po punohet që dhe ata të sistemohen. Megjithatë sinjalet janë se pas ministrave, tani shpata do zbresë te Sekretarët dhe Drejtorët e Përgjithshëm.
Diskutime rreth kësaj post