Sot në orën 17.00 demokratët do të zhvillojnë protestën e parë për këtë vit para parlamentit kundër mazhorancës socialiste, e cila sipas tyre po shkel të drejtat kushtetuese të opozitës. Protesta do të zhvillohet jashtë sallës së seancave plenare, ndërkohë që deputetët do të protestojnë brenda Kuvendit duke tentuar të bllokojnë mbledhjen. Megjithatë numri i deputetëve të opozitës që lejohen të marrin pjesë në seancë është më i vogël, pasi 19 prej tyre janë përjashtuar. Sot mbledhja e parlamentit do të fokusohet vetëm te diskutimet për problemet e qytetarëve dhe nuk ka ligje që duhen miratuar e në kushtet kur opozita do të bllokojë foltoren, pritet që seanca të zgjasë vetëm pak minuta. Me pas deputetët që njohin si kryetar të PD Sali Berishën do tu bashkohen protestuesve jashtë ambienteve të parlamentit dhe rreth orës 18.00 pritet që demokratët të zhvendosen te rruga pranë shtëpisë së liderit të opozitës Berisha, i cili prej datës 30 dhjetor ndodhet në arrest shtëpie. Dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit u vendos që nga nesër protestat të shtrihen në të gjithë vendin e të përdoret çdo mjet i mosbindjes civile kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministrit Edi Rama. Por deri tani ky aksion duket se do të kufizohet vetëm tek demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, pasi deputetët e Gazment Bardhit nuk do të marrin pjesë në këto protesta e po ashtu do të mungojnë edhe aleatët e PD. Protesta e fundit që opozita zhvilloi ishte në 27 dhjetor para gjykatës së lartë në prag të vendimit për logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Mirëpo teksa e hëna e sotme, pritet të mos prodhojë surpriza, seanca e ditës së enjte do të jetë edhe më e rëndësishme, pasi pritet të kalojnë një sërë projektligjesh, mes të cilëve më i rëndësishmi, ai që rikthen bastet sportive online, që nga opozita është kundërshtuar gjatë. Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit.
Përshkallëzimi i aksionit opozitar, Noka: Nis kthesa e madhe
Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka, ishte i pranishëm në fundjavë në tubimin e përditshëm të qytetarëve poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Njësoj si në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Noka foli për protestat që do të nisin të hënën e që do të shënjojnë përshkallëzimin e aksionit opozitar. Sipas Nokës, ajo që do të nisë të hënën është kthesa e madhe kundër regjimit të Edi Ramës. “Këshilli Kombëtar i PD vendosi që sot ora 17:00 të nisë hapi i parë i përshkallëzimit të aksionit tonë politik përpara parlamentit, që është kthyer në një parlament të regjimit, në një parlament të trafikut, në një parlament të krimit. Këshilli Kombëtar vendosi që ditën e hënë të gjithë t’i çojmë një mesazh Edi Ramës që nuk do ketë kurrë paqe për ty, nuk do ketë kurrë paqe për regjimin tënd kriminal për sa kohë ti e konsideron opozitën armike, për sa kohë ti ke vendosur asgjësimin e saj, për sa kohë ti vazhdon të çosh amanetin e etërve të t’u, amanet që synon eliminimin e demokracisë dhe rikthimin e monizmit. Ne jemi të vendosur që të ecim në këtë rrugë dhe të mos lejojmë përmbushjen e këtij amaneti të etërve të tij. Nga kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar ne vendosëm që pas ditës së hënë, do të jemi në çdo cep të Shqipërisë, do jemi në çdo rrugë dhe çdo rrugicë të këtij vendi, për të frymëzuar qytetarët, për të ngritur demokratët dhe për t’u prirë atyre në betejën për demokraci”, tha Noka. Deputeti tha se situata ku gjendet sot opozita është si pasojë e veprimeve të kryeministrit Rama. Sipas tij e vetmja rrugë dalje nga kjo situatë është përshkallëzimi i aksionit opozitar. “Këshilli Kombëtar i PD mori vendim që kthesa e madhe fillon ditën e hënë. Kthesa e madhe do fillojë përballë parlamentit dhe nuk do të ketë të ndalur gjersa ta gjunjëzojmë këtë regjim. Ta marrim në dorë fatin tonë. Nuk ka rrugë tjetër dhe kjo ishte një nga rrugët e vetme që Këshilli Kombëtar i PD u propozon të gjithë demokratëve dhe të gjithë aleatëve tanë opozitarë”, nënvizoi Noka.
Diskutime rreth kësaj post