Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, shkruan TV21.
Mandatari Talat Xhaferi dje dorëzoi programin dhe propozim-përbërjen e Qeverisë kalimtare në Kuvend, ndërsa kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re e ka caktuar për sot (28 janar, e diel) në ora 11.
Në propozimin – përbërjen e qeverisë kalimtare, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane do të jetë Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi do të jetë ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve.
Me propozim të VMRO-DPMNE-së, për pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkovski, si dhe Gjoko Vellkovskit propozim për pozitën e ministrit të Punës dhe Politikës Sociale.
Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Lëoga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova. – ministre e Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.
Pritet që pas votimit të qeverisë teknike sot në Kuvend të mbahet një seancë tjetër, në të cilën do të votohet për zëvendësministrat plotësues, si dhe të verifikohet mandati i një deputeti që do të zëvendësojë Talat Xhaferin, të cilit i është besuar mandati për të formuar qeveri teknike.
LSDM-ja e ka propozuar Mitko Bojmacaliev të jetë kandidat për zëvendësministër plotësues të Punëve të Brendshme, ndërsa ministrja e deritanishme Jovanka Trençevska do të jetë zëvendësministre plotësuese për Punë dhe Politikë Sociale.
VMRO-DPMNE propozoi Elena Petrovën për zëvendësministre plotësuese të Financave, Stefan Andonovskin të Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Cvetan Tripunovskin për Bujqësi Pylltari dhe Ekonomisë të Ujërave.
Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për më 8 maj dhe do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen dy javë më parë.
Diskutime rreth kësaj post