Sot është dita e fundit për subjektet politike që të dorëzojnë listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, të cilët pas certifikimit do të mund të garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Duhet theksuar se deri më tani vetëm 10 subjekte politike, me gjithsej 210 kandidatë, kryesisht nga radhët e komuniteteve, kanë dorëzuar në KQZ aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje si dhe listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku konstatohet se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet, KQZ-ja ka bërë të ditur se do t’i dërgojë listat me emrat e të gjithë kandidatëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).
Gjithashtu, listat me emrat e kandidatëve për deputetë do t’iu dërgohen edhe në 5 institucione të tjera, përveç KGjK-së, pra në Ministri të Punëve të Brendshme, Ministri të Punëve të Jashtme, Ministri të Mbrojtjes, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, listat me emrat e kandidatëve për deputetë do t’iu dërgohen këtyre institucioneve më së largu deri më 18 janar, ndërsa do të presin përgjigje deri më 20 janar.
“Nëse një kandidat nuk do të certifikohet nga KQZ, i njëjti do të mund të bëjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pastaj çështja mund të shkojë edhe në Gjykatën Supreme. I gjithë procesi i ankesave dhe vendimmarjes nga KQZ-ja planifikohet të përmbyllet deri më 31 janar. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike është planifikuar të bëhet më 1 shkurt”, ka thënë Elezi.
Diskutime rreth kësaj post