Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh keqardhjen për ngjarjet e shëmtuara të ndodhura sot në sallën e seancave plenare nga deputetët e Partisë Demokratike.
Në deklaratë për shtyp nga zyra e grupit parlamentar të PS-së thuhet se “të gjithë shqiptarët e panë se si fajtorët për keqqeverisjen 8-vjeçare të Shqipërisë dhe shqiptarëve bllokuan punimet normale të Parlamentit me të gjitha mjetet jo ligjore dhe aspak parlamentare madje duke përdorur hedhje te sendeve apo vezëve ne drejtim të Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar”.
“Prandaj, bazuar në nenin 65 të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i PS i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit të mbledhë urgjentisht Byronë e Kuvendit, për të shqyrtuar kërkesën për përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike: Genti Strazimiri,- Albina Dede dhe Bedri Hoxha.Këta deputetë, në mënyrë të paprecedentë kanë qëlluar me vezë Kryeministrin dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave si dhe kanë përdorur fjalë fyese, jo etike, shumë të rënda dhe aspak të denja për fjalorin parlamentar ndaj tyre”, deklaron grupi parlamentar socialist.
“Kjo sjellje e padenjë e tyre, shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka shkaktuar rrëmujë dhe kaos në mjediset e sallës plenare duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare. GRPS kërkon që ndaj këtyre deputetëve të zbatohet masa disiplinore e parashikuar në nenin 63, shkronja „ç” të Rregullores së Kuvendit”, përfundon njoftimi për mediat.
Diskutime rreth kësaj post