Nga Shpëtim Nazarko
Nuk është ndonjë histori simpatie dhënia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë ndaj pyetjes se kush i fiton zgjedhjet. Është thjesht një përgjigje e bazuar në historinë 25-vjeçare të pluralizmit, ku socialistët thuajse gjthnjë janë forcë e parë.
Çështja që ngrihet në formën e pyetjes së drejtpërdrejtë është: A do të jenë ata në krye të qeverisë së re pas zgjedhjeve të 25 qershorit, apo jo? Natyrisht që i pari që ia ka bërë këtë pyetje vetes është Rama, kur i hyri asaj forme marrëveshjeje me PD-në, e cila duket se do të mbetet për një kohë të gjatë në mendje, nisur nga forma e zgjdhjes së krizave analoge në Shqipërinë e pas 1990-s. Paskal Milo, diku u shpreh së fundmi se ai ka frikë për një takim të dytë Rama–Basha, çka nënkupton në minimum një marrëveshje më të gjerë midis dy partive të mëdha, apo ndryshe, fillimin e zyrtarizimit të daljes nga skena politike njëherë e mirë të partive të vogla. Milo mund të thoshte akoma që do të kemi një marrëveshje për të qeverisur të dy të mëdhenjtë bashkë. Një përgjigje jo të drejtpërdrejtë në lidhje me shqetësimin e tij e dha Basha, i cili, në një emision televiziv të ditëve të fundit, tha thjesht se ishte në favor të një sistemi mazhoritar. Që të ndodhë kjo, duhet të ketë marrëveshje midis dy të mëdhenjve…
Nuk mund t’i hyjmë teorive konspirative, se çfarë është arritur në takimin Rama-Basha, që zgjati gati 5 orë, por ajo që me siguri mund të thuash, është që Rama nuk ka improvizuar në moment, apo i bezdisur nga qëndrimi jo vetëm i çadrës, por edhe i aleatit bashkëqeverisës, i cili, gjatë gjithë kohës brenda një logjike politike normale, priste zgjidhjen e krizës, por të shoqëruar edhe me dobësimin e aleatit të madh… Strategji që pastaj të lejonte t’i kërkoje sa më shumë në aleancën e re paszgjedhore nga “torta e bashkëqeverisjes”. Nuk do t’i hyjmë diskutimit të arsyeve të Ramës për t’i dhënë kundërshtarit politik më shumë se “Paketa McAllister”. Mund të themi vetëm se Duka i Partisë Agrare, nuk ka të drejtë kur thotë se Basha e zhveshi nudo Ramën nëpërmjet asaj që i mori. Kjo kur Rama dha më shumë se i kërkuan të huajt… E kam shkruar pak më parë se në rastin makiavelik, Rama i rrëshqiti tri goditjeve njëherësh, çadrës, aleatit LSI dhe ndërkombëtarëve. Në rastin e mirë, bëri aktin e një qeveritari që sheh më larg se të tjerët dhe llogarit po më gjatë se ata të nesërmen e tij dhe të vendit që qeveris.
Çështja shtrohet në formë të drejtpërdrejtë. A do të jetë Rama jo vetëm forcë e parë, apo do të jetë edhe kryeministri i ardhshëm? Do ta sigurojë këtë qeverisje, duke plotësuar i vetëm 71 numra deputetësh, apo do të kërkojë aleancë. Nëse është kjo e dyta, me kë do të kërkojë ta bëjë? Rama mendon se mund ta arrijë vetë numrin 71. Nuk jam i sigurt që do ta arrijë po ajo këtë numër. Në këtë rast, duket se ai dhe PS do të humbë pushtetin nëse kundër tij do të vendoseshin PD-LSI-PBDNJ. Po a është e mjafttueshme kjo skemë që të përmbyste raportin e forcave, pra t’i lejonte PD-së të merrte qeverinë e pas zgjedhjeve, pavarësisht se do të ishin forcë e dytë? Për një optimist normal do të mjaftonte që në këtë rast PS të kërkonte aleancën e PDIU-së, që të arrinte përsëri në vendin e parë dhe rrjedhimisht edhe qeverisjen. Për të llogaritur a është i mjaftueshëm ky konfiguracion i dytë duhet t’i referohemi zgjedhjeve të 2009-s. E kam shkruar shumë herë, po dhe jam i bindur se dhe në 2009-n PS-ja i ka fituar zgjedhjet. Në 6 nga qarqet e mëdha do t’i mjaftonin vetëm 0,2 për qind e votave më shumë që ajo të kishte po aq deputetë më shumë. Pra të shkonte vetë në 72. Kjo arsye e thjeshtë bëri që socialistët të kërkonin hapjen e kutive të votimit për shumë kohë. Kërkesa ishte normale nisur nga ky rezultat i ngushtë…
Por për të mos rënë në gojën e militantëve, mund t’i referohemi kësaj situate, duke llogaritur që LSI është në pozitat e asaj kohe dhe PDIU nuk mund të renditet në të njëjtën strehë me PBDNJ, të paktën zyrtarisht. Kaq do të mjaftonte të dilje në një konkluzion paraprak se në rastin e një koalicioni paszgjedhor PS plus PDIU të jetë më shumë në numër deputetësh sesa PD-LSI-PBDNJ. Natyrisht, një llogaritje e tillë është statike, sepse do të kujtonin se LSI është më shumë se në 2009. Po në kurriz të kujt i ka marrë këto vota?
Përgjigjen po e shohim këto ditë. Duket qartë se të dyja partitë e mëdha po bëjnë të gjitha përjekjet që votat e dhëna LSI-së gjatë aleancave fluide, në 2011 dhe 2013, t’i kthejnë në shtëpitë e tyre. Edhe sikur kjo të mos arrihet plotësisht, është e thjeshtë se do të ketë njëfarë ndikimi në rrudhjen e LSI-së. Kjo e fundit, nga ana e saj, e gjendur nën rrethim, me gjithë pickimet apo mallkimet e vogla, është e detyruar të shtrëngojë dhëmbët e të presë me detyrim operacionin e të dy të mëdhenjve.
Në analizën e sipërme duket se PS do të jetë prapë forcë e parë dhe ka probabilitetin më të madh të qeverisë në katërvjeçarin tjetër. Me shanse më të vogla për të arritur vetë 71 deputetë, por plotësisht të realizueshme, qoftë edhe me PDIU-në. Po a do të jetë kjo e mjaftueshme për të qeverisur realisht vendin? Në një perceptim makiavelist të problemit, natyrisht që po. Në një gjykim që merr parasysh interesat madhore të vendit dhe dhënies fund të kakofonisë politike të krijuar, besoj se jo.
Me kë do të qeverisë pas 25 qershorit PS-ja?
Në ndryshim nga Milo apo të tjerë, unë besoj se edhe po të mos ketë një takim të dytë Rama-Basha, probabiliteti më i madh është që Rama, edhe nëse fiton i vetëm, ka mundësi t’i afrojë përsëri dorën PD-së për të bashkëqeverisur, qoftë edhe në një kohë të shkurtër.
Pse do ta bëjë?
Për një pjesë të analistëve apo të të rreshtuarve në frontin e militantëve, përgjigjja është që të dyja palët do të mbulojnë gjëmat e bëra këto 25 vjet. Nuk e besoj këtë tezë. Kjo sepse Vetting-u, pas kokave të gjyqësorit, do të presë edhe ato të politikës së lartë, nuk është as në dorë të Ramës dhe as në të Bashës dhe as në të dyve bashkë. Rama, Basha, Meta dhe Berisha, nuk e di se në çfarë radhe lëvizjesh, herët a vonë do të jenë nën presën e Vetting-ut, që është në dorë të agallarëve më të mëdhenj se ata. Në arsyen më reale pragmatike, mund të thonim se dy partitë e mëdha do të bënin marrëveshje për të hequr qafe partitë e vogla. Basha është për këtë dhe Rama akoma më shumë, nisur nga epërsia që ka në numra partia e tij. Kjo logjikë duket racionale dhe është drejtuar kundër partive të vogla. Po a përbën rrezik kjo për pluralizmin?
Vetë Berisha tha në një intervistë të para disa ditëve se partitë e vogla përbëjnë gati një të tretën e votave kombëtare, prandaj do t’i vinte keq të dilnin nga skena. Ajo që harroi të thoshte është se ato sillen e mbështillen sipas konjukturave të çastit duke iu vetafruar të mëdhenjve, shpesh edhe duke hedhur në erë programet mbi të cilat janë ngritur. Në një vlerësim personal, mendoj se PS do t’i fitojë zgjedhjet edhe nëse kjo do t’i kërkonte që numrin 71 ta plotësonte në mos vetëm, por me një aleat të vogël të tipit PDIU, që në të ardhmen, ndryshe nga PBDNJ, do të riforcohet në planin e votave. Kjo edhe për shkak të një kohezioni dhe numrash realë të komunitetit që ka.Por siç e theksova, mendoj se edhe pas kësaj fitoreje PS do të mendohet gjatë nëse do ta ushtrojë pushtetin vetëm apo me partinë më të madhe të opozitës për një periudhë qoftë edhe afatshkurtër. Në një qëllim të mirë për të arritur futjen sa më shpejt në BE, për një reformë kushtetuese dhe për thellimin e reformës në drejtësi, si dhe atë të territorit.
Nëse Rama do ta bëjë këtë realisht, do të duhet të presim e të shohim. Vetë thotë se nuk do ta bëjë këtë aleancë. Unë e besoj pak, duke respektuar tek ai njëkohësisht taktikën elektorale, që në mënyrë të hekurt i imponon të thotë pikërisht ato që thotë.
Ndërkaq, sa ka vlerë lloji i aleancës që do të zgjedhë edhe nëse fiton vetëm, apo me pak ndihmë nga ndonjë aleat i vogël, le t’ia lëmë lexuesit ta gjykojë… E po kështu, a ia vlen t’ia shtrijë edhe një herë dorën opozitës…
Diskutime rreth kësaj post