Ish-presidenti Bujar Nishani është një ndër demokratët që ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së. Nishani ka renditur edhe argumentet se përse e bën këtë kërkesë.
“Reformimi nuk vjen vetëm me dorëheqjen e liderit, ajo është hapi i parë i nisjes së një procesi besimi. Nuk e duan qeverinë e Ramës, nuk kanë besim te PD, dorëheqja është një akt politik perëndimor dhe nuk ka vetëm vlerën e perceptimit të sjelljes me integritet, por edhe çlirimi nga ngërçi psikologjik që ka struktura dhe opinioni i PD-së Duhet të sillesh europian duke filluar nga vetja, nuk mund t’u kërkosh të tjerëve të sillen europian dhe vetë të sillesh sipas modelit afrikan. Nuk është çështje spastrimesh. Kur them modeli i ri, vija e parë i takon gjeneratës së re, PD ka organizimin e 2015, në 2025 duhet të shkojmë me modelin që duhet të ketë në 2030”, tha Nishani për Report Tv.
Nishani tha se mungesa e besimit te PD, solli edhe humbjen në zgjedhje.
“Nuk është qëllimi im fokusimi te përgjegjësia e një njeriu, këndvështrimi dhe kauza ime është me e gjatë dhe më e thellë se përgjegjësia personale, shqetësimi im është i mijëra shqiptarëve që prisnin dhe kishin të nevojshme që pas 25 prillit sistemi politik në Shqipëri, modeli qeverisës, institucionet dhe e gjithë shoqëria të hynte në një rrugëtim thelbësisht të ndryshëm dhe kjo do të ndodhte përmes ndryshimit të qeverisë dhe detyrat ishin pastaj më të mëdha, Ajo që na goditi të gjithëve e na dëshpëroi kishte të bënte me faktin se ajo që ishte shpresa më e madhe e ndryshimit opozita, rezultoi që nuk kishte qenë e zonja për të bindur dhe fituar besimin e një shumice për të bërë këtë ndryshim të madh. Përtej shumë manipulimeve të Ramës, blerjes së votave, përdorimit të resurseve, administratës, PD nuk pati forcën, projektin e duhur që shumica e shqiptarëve të mos lejonin që këto manipulime të ndikonin në vazhdimin e qeverisë Rama. Kemi problem me standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, por nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër përpos ndryshimit të proceseve politike dhe nëse PD do të qëndrojë në këtë arritje që pati deri më sot, nëse nuk ndryshon në mënyrë të thellë në koncept në strukturë, në imazh, në hapjen dhe bashkëpunim, në bashkimin dhe jo përjashtimin, nëse nuk bëhet nesër një parti që do të bind 1 mln shqiptarë që jo vetëm janë kundër Ramës, por besojnë se qeverisja e re që do vijë nga PD, atëherë do mbetemi në një statuko ku një qeveri do fitojë dhe një opozitë e pazonja për të sjellë ndryshimin”, tha Nishani.
Diskutime rreth kësaj post