Skënderbeu nuk ka shumë kohë të festojë kualifikimin për në fazën e grupeve të Europa League. Skuadra korçare, që pas eliminimit të Dinamos së Zagrebit arriti të përsërisë suksesin e dy sezoneve më parë, tashmë i duhet të nisë punën për të studiuar kundërshtarët e radhës, emrat e të cilëve i mësoi në shortin e hedhur në Monako.
Ajo që të bën përshtypje është se, në arenën europiane të futbollit u shfaq sërish përballja shqiptaro-serbe, pasi Skënderbeu u përcaktua të jetë në grupin B, së bashku me Partizanin e Beogradit. Kjo nuk është hera e parë, që një skuadër shqiptare ndeshet me një serbe në një kompeticion të tillë.
Në vitin 1987 ishte Flamurtari, ai që eliminonte skuadrën serbe në kompeticionin që në atë kohë mbante emrin “Kupa UEFA”, falë golit të Sokol Kushtës. Por kujtimi më i freskët i futbollit shqiptar nga sfidat me futbollin serb daton më 14 tetor të vitit 2014, në sfidën mes dy skuadrave kombëtare. Një përballje që u fitua nga kombëtarja shqiptare në tavolinë 3-0, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Tani do të jetë Skënderbeu, ai që do të udhëtojë drejt kryeqytetit serb, për të përjetuar sfidën e tij ndaj Partizanit të Beogradit. Kundërshtarët e tjerë të Skënderbeut në grupin B janë ukrainasit e Dinamos së Kievit dhe zviceranët e Young Boys.
Ndërkohë, UEFA ka përcaktuar edhe grupet e tjera të Europa League për sezonin 2017-2018. Dy skuadrat që kanë më shumë eksperiencë në arenën europiane, Milani dhe Arsenali ndodhen respektivisht në grupin D dhe H. Kuqezinjtë nga Milano do të kenë si rivalë Austrinë e Vjenës, Rijekën dhe AEK-un e Athinës, ndërsa londinezët do të përballen me BATE Borisov, Crvena Zvezdën dhe Këlnin.
Diskutime rreth kësaj post