Përveç Prokurorisë Shqiptare, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është nën hetim edhe nga Prokuroria e Katanias në Itali, për lidhjet e mundshme me trafikun e drogës, sipas Top Channel. Hetimi i palës italiane është bërë publik edhe nga gazetari investigativ, Artan Hoxha. Gazetari bën të ditur se prokuroria italiane ka nisur hetim për ish-ministrin Saimir Tahiri që më datën 27 tetor, pas kërkesës së Prokurorisë shqiptare lidhur me dosjen “Habilaj”. Më 24 tetor, Saimir Tahiri publikoi para mediave se kishte një dokument të Prokurorisë së Katanias që vërtetonte se ai nuk ishte nën hetim. “Koha Jonë” kontaktoi në mbrëmje me Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me konfirmimin e hetimit italian, por për shkak të situatës tranzitore në këtë institucion (pas mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit), Prokuroria nuk pati asnjë reagim.
Ndërkohë, gazetari Hoxha deklaron se “Procedimi penal në Itali ndaj Tahirit ka nisur pas kërkesës së prokurores Rovena Gashi, drejtoresha e Marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Gashi ka dërguar si material shtesë edhe deklarimet publik të ish-oficerit të antidrogës Dritan Zagani. Në datën 27 tetor në Katania ka udhëtuar kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe prokurori Genti Osmani. Ata kanë qëndruar për 3 ditë në Katania për të shkëmbyer informacion dhe për të tërhequr dosjen Habilaj…”.
Nisja e hetimit nga ana e palës italiane rëndon pozitën e ish-ministrit Saimir Tahiri, pas hetimit që po zhvillohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Më 24 Tetor, Saimir Tahiri doli para mediave dhe paraqiti një dokument që pretendonte se ishte i Prokurorisë së Katanias dhe që tregonte, sipas ish-ministrit, se ai nuk ishte nën hetim nga drejtësia italiane. Televizioni Top Channel publikoi dje detaje të kësaj çështje që hedhin dyshime për falsifikim të dokumentit të Prokurorisë Italiane nga Saimir Tahiri. “Top Channel” raporti se dokumenti i paraqitur nga Saimir Tahiri nuk është identik me atë që lëshojnë autoritet italiane, gjë që lë hapësira dyshimi për një manipulim dhe fshehje të faktit se ish-ministri është nën hetim nga autoritet e vendit fqinj. Dokumenti jo autentik është një tjetër provë se hetimi ndaj ish-ministrit ka nisur në Itali për lidhjet e mundshme me klanin “Habilaj” që trafikonte drogë. Edhe në emisioni Top Story mbrëmë pala e ish-ministrit Tahiri nuk arriti të bindë se si është marrë ky document paraqitur nga ish-ministri. Lëmshi po ngatërrohet me shumë rreth Tahirit, edhe për nga Italia. Hetimi në Itali hap një tjetër etapë të dosjes “Habilaj” dhe çështjes “Tahiri”. Ndryshe nga procedura që është ndjekur nga drejtësia shqiptare, në Itali dosja hetimore është më e plotë për trafikun e drogës. Vizitat e ministrave italianë gjatë muajve të fundit në Tiranë dhe diskutimi i detajeve për shkëmbimin e informacioneve e bëjnë edhe më të plotë panoramën e asaj që po ndodh në këtë hetim mes dy vendeve.
Hetimi në Itali mund të rëndojë pozitën e Saimir Tahirit, por gjithashtu, nëse drejtësia italiane nuk gjen vepër penale ndaj tij, kjo mund të jetë dhe një parathënie e zhvillimit të hetimeve në Shqipëri. Në parim, ekzistojnë të gjithë mundësitë që Saimir Tahiri të ekstradohet drejt Italisë, nëse hetimi arrin në përfundime që e nxjerrin atë fajtor për akuzat e dyshuara pasi banda Halilaj ka vepruar në Itali dhe pjesë e bandës, siç po hetohet ka qenë edhe ish-ministri.
Por për hetimin e kësaj dosje mes dy vendeve ka shumë rëndësi roli i Prokurorisë së Shqipërisë. Dosje të tilla janë mbyllur shumë shpejt vetëm për shkak proceduarash në vitet e kaluara. Kjo shpjegon edhe turravrapin e mazhorancës për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm aktual dhe emërimin e një kryeprokurori të përkohshëm po me urgjencë. Siç duket kryeministri ka informacion secret se çdo të ndodhë në lidhje me këtë dosje, prandaj po nxiton të fusë në dorë, qoftë edhe përkohësisht, kryeprokurorin e vendit.
Punët nuk duken mirë në bahçen e qeverisë. “Ujkun” shqiptar mund ta ngordhin pala e qeverisë, por “luanin” Italian as që flitet ti ofrohet.
Megjithatë avokati Maksim Haxhia thekson në Top Story se nuk ka asnjë hetim nga pala italiane. Kurse Top Channel nxori dokumenta të tjera investiguese. Nxitimi i Ramës për të kapur prokurorinë, e cila heton ish-ministrin, të krijon përshtypjen se diçka don të mbulojë kryeministri për Tahirin. Në fakt kanabizimi i vendit nuk është vendim vetëm i Tahirit. Atë e lejuan kryeministri dhe ambasadorët, të cilët heshtën. Në një farë mënyre ish-ministri po paguan edhe politikisht aferën e kanabisit, nëse vertetë nuk është i përzier te Habilajt në bashkëpunim si bashkëorganizator.
Asnjëri nuk mund të quhet fajtor pa një vendim gjykate të formës së prerë, ndonëse nga dosjet e publikuara dhe që vazhdojnë dyshimet kthehen në bindje. Dikush po synon ta esktradojë ish-ministrin në Katania, atje ku po zhvillohen hetimet e bandës së Habilajt.
Diskutime rreth kësaj post