Ka marrë terren këto orë një lajm se Lëvizja Socialiste për Integrim do të tërheqë nesër ministrat e saj nga qeveria, me një lëvizje e cila nëse rezulton e vërtetë, do t’i jepte një goditje të fortë koalicionit katërvjeçar me Partinë Socialiste. Thuhet se tashmë Meta është bërë gati që ofertën e hershme për të tërhequr ministrat e tij, si “shans për paqe me opozitën”, ta kthejë në veprim konkret të njënashëm.
Ashtu si Lulzim Basha, edhe Ilir Meta e ka kushtëzuar hyrjen e LSI në zgjedhje me pjesëmarrjen në to të opozitës, duke shpërfillur thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve në 18 qershor. Meta ka thirrur për nesër një seancë jashtë rradhe të Kuvendit, për votimin e Vetingut.
Kjo lëvizje ndodh në mesin e një kaosi politik të skajshëm, kur afatet për regjistrimin e partive në zgjedhje po skadojnë dhe kur po vihet në rrezik serioz zgjedhja e kreut të ri të shtetit dhe mbajtja e procesit të votimit në 18 qershor. Në daljen e fundit, të dielën, Ilir Meta dha mesazhin e baraslargimit nga dy partitë e mëdha, megjithëse vijon të jetë pjesë e qeverisjes së majtë. Një rol i ngjashëm ky me sjelljen e kësaj force politike katër vjet më parë, kur bashkoi forcat me opozitën, ndërkohë që bëhej gati të ikte nga qeveria Berisha.
Ikja eventuale e Metës nga qeveria do të ngrejë pikëpyetje mbi balancat e numrave në Parlament, ku qeveria Rama duket në vështirësi për të mbajtur shumicën. Duhet parë gjithashtu edhe qëndrimi i PDIU ndaj kësaj situate, një parti e cila ka provuar se është mjaft e paqëndrueshme në momente krizash të ngjashme. /JavaNews
Diskutime rreth kësaj post