Shpërthen skandali në spitalet Covid, teksa mësohet se pacientëve dhe infermierëve nuk iu lejohet të mbajnë celularët brenda ambienteve të spitalit, gjë e cila ngre dyshime mbi atë çfarë po tenton të fshehë Ministria e Shëndetësisë me këtë vendim.
Gazeta u interesua pranë dy spitaleve Covid mbi situatën dhe burime të sigurta i thanë gazetës se, pacientëve dhe infermierëve nuk iu lejohet të mbajnë telefonat brenda ambienteve. Por ky fakt ngre pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve me Covid-19 dhe asaj që po tenton të fsheh Ministria e Shëndetësisë, duke mos lejuar telefonat brenda ambienteve.
Po ashtu në spital nuk lejohen as vizitat nga familjarët, si masë parandaluese për të mos shpërndarë koronavirusin, por kjo ka bërë që familjarët të kenë të pamundur komunikimin me të shtruarit brenda ambienteve të spitalit. Si pasojë e këtyre masave, shumë familjarë janë në tension duke mos ditur se çfarë ndodh me gjendjen shëndetësore të familjarëve të tyre. Pak kohë më parë dy vajza, të cilat kishin prindërit me Covid-19 të shtruar tek Infektivi, ngritën alarmin, duke thënë se prindërit e tyre nuk po trajtohen dhe se nuk kishin mundësi komunikimi.
Ato i bënë thirrje qeverisë që t’ju jepte informacion mbi gjendjen shëndetësore, ku shtuan se kishin frikë se mos humbnin prindërit e tyre nga pakujdesia e mjekëve. Ndërsa burime nga brenda spitalit i pohuan gazetës se një nga arsyet se përse nuk lejohen celularët është frika se filmohen ambientet dhe puna e mjekëve, video këto që mund të shfrytëzohen për të denoncuar gjendjen në të cilën ndodhet spitalet dhe punojnë personeli, si dhe shërbimi që iu ofrohet pacientëve.
Korrupsion dhe akuza
Por ndërkohë nuk kanë munguar as skandalet me korrupsion. Pak kohë më parë në media qarkulloi një video ku shihej një vajzë e cila paguante para në dyert e spitalit dhe sikurse u bë me dije ajo po paguante që t’i jepej ushqim familjarit që kishte të shtruar brenda. Po ashtu Partia Demokratike ka ngritur shpesh akuza ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për korrupsion dhe manipulim shifrash. Pak kohë më parë gazeta publikoi një monitorim 4 ditor mbi shifrat e bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, ku vihej re një disbalancë e numrit të viktimave dhe atyre që ndodheshin në terapi intensive. Sipas monitorimit rezultonte se në 4 ditë kishin humbur jetën 11 persona që nuk kishin qenë në terapi intensive, por sipas ekspertëve personat që kanë riskun më të madh për të vdekur nga Covid-19 janë ata që ndodhen në terapi intensive, e kjo ngre dyshime mbi numrat që raporton MSH. Po ashtu dyshime janë ngritur edhe mbi numrin e të infektuarve, ku kanë dalë informacione se fshihen shifrat reale të të infektuarve. Partia Demokratike ka deklaruar se MSH i fsheh shifrat reale të të infektuarve si dhe ka denoncuar gjendjen në dy spitalet Covid.
INSTAT rrëzon Ministrinë e Shëndetësisë
Pak kohë më parë disa të dhëna të bëra publike nga INSTAT rrëzuan Ministrinë e Shëndetësisë dhe deklaratat e kësaj të fundit, ku thoshte se virusi po shkakton vdekje të shumta. Sipas të dhënave të INSAT mbi vdekjet gjatë vitit 2019, rezulton se vdekjet janë ulur me 3.5% në 6 muajt e parë të vitit 2020. Sipas INSTAT 406 persona më pak humbën jetën në periudhën janar-qershor të vitit 2020, krahasuar me vitin 2019. Edhe pse vendi është i prekur nga pandemia që po shkakton vdekje, numri i këtyre të fundit nuk është rritur në 2020, por përkundrazi është ulur. Disa ekspertë të cilët kanë folur në lidhje me virusin dhe vdekshmërinë e tij, kanë deklaruar se nuk është një virus me vdekshmëri shumë të lartë. Sipas një epidemiologu kryesor në Universitetin e Oksfordit, virusi ka një nivel vdekshmërie me vetëm 0.05 përqind. Sipas të dhënave të INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit kanë humbur jetën në vend 11,104 persona. INSTAT ka bërë me dije se mesatarisht në vend kanë vdekur 61 persona në ditë. Krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit 2019, sipas INSTAT numri i vdekjeve ka rënë me 3.5%. Në total janë 406 vdekje më pak.
Diskutime rreth kësaj post