Kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut Bilall Kasami komenton skandalin e korrupsionit që përfshiu Maqedoninë e Veriut ku në pranga gjatë muajit gusht ra prokurorja speciale Katica Janeva.
Gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” në Neës24, Kasami thekson se ky skandal korrupsioni mund të penalizojë në mos hapjen e negociatave me BE-në jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë.
Kasami thekson se në këtë skandal është implikuar edhe emri i kryeministrit Zaev që sipas tij duhet të sqarojë pozicionin e tij ose të japë dorëheqjen.
Sipas politikanit shqiptar të gjitha mundësitë janë që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme ndërsa për sa i përket zërave se Besa mund të hyjë në koalicion me partinë VMRO-DPMNE të ish kryeministrit Gruevski, Kasami thekson se këto zëra janë të pavërteta.
Zoti Kasami, si është situata politike në Maqedoninë e Veriut, duke qenë se vendi pret edhe një vendim pozitiv në tetor për hapjen e negociatave me BE?
Ishte një situatë shpresëdhënëse pas gjithë atyre ndryshimeve që ndodhen, disa marrëveshje me fqinjët dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat rezultuan edhe me përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO, që besojmë dhe shpresojmë që se shpejti të përmbyllet në muajit në vijim. Çështja tjetër e rëndësishme ishte hapja e bisedimeve për në Bashkimin Europian. Përderisa procesi i integrimit në NATO kushtëzohej nga Greqia, procesi i integrimit në BE kërkonte dhe reforma dhe ndryshime rrënjësore në institucionet e këtij vendi. Këtu hasi sharra në gozhdë, nuk kishte shumë shpresë, veçanërisht duke u bazuar edhe në hamendjet e disa vendeve anëtare si Franca dhe Holanda, se është e gatshme Maqedonia e Veriut për të qenë anëtare në familjen europiane. Por zhvillimet e fundit të verës rreth prokurorisë speciale po i shuajnë edhe shpresat e fundit se Maqedonia e Veriut në tetor do të marrë një ftese pozitive.
Deri para një muaji Maqedonia e Veriut kishte më shumë shpresë se Shqipëria në fakt për hapje negociatash, a mund të themi dhe sot të njëjtën gjë?
Sot me zhvillimet e fundit rreth Prokurorisë Speciale dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ky pozicion i favorshëm i Maqedonisë së Veriut po humbet, përballë Shqipërisë. Para verës kishte zëra të fuqishëm të establishmentit maqedonas se hapja e bisedimeve bashke me Shqipërinë do ta penalizonte Maqedoninë e Veriut sepse disa vende kishin hamendje rreth Shqipërisë.
Tani po ndryshon situata dhe me këto zhvillime rreth prokurorisë speciale, që për të informuar publikun shqiptar, tanimë ajo që duhet të luftonte korrupsionin në nivele të larta, Katica Janeva tani është në burg. Dhe për ironi të fatit është në burg për korrupsion, zhvatje dhe për akte të cilat ajo duhet t’i luftonte. Por problemi është edhe më i thellë sepse lidhjet e saj me pushtetarë të qeverise aktuale kanë qenë aq të fuqishme, sa që ka rrezik që të bjerë qeveria nëse shkohet deri të fund të këtij rasti. Ose që të mbyllet dhe të mbulohet gjithë kjo situatë, por atëherë do të ketë rrezik që vendet anëtare të Bashkimit Europian të mos pajtohen me një mbulim të korrupsionit atje. Dhe të humbim shansin që në tetor të marrim ftesë pozitive. Shqipëria nuk ka asnjë zhvillim dramatik për të përkeqësuar situatën, por në këtë rast për ironi të fatit mund të bëhet shkak Maqedonia që këto dy vende të mos marrin ftesë në tetor.
Diskutime rreth kësaj post