Një incident në kampin e Muxhahidinëve iranianë në Manzë të Durrësit nga ku është goditur një gazetare e mirnjohur britanike dhe ekipi i saj i xhirimit, është tentuar të mbahet sekret.
Por Shqiptarja.com ka mundur e zbuloje të gjitha detajet e këtij incidenti.
Burime nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Antiterrori, në kushtet e anonimatit, tregojnë se incidenti ka ndodhur më 10 gusht. E gjithë ngjarja nuk është raportuar në komunikatat ditore të ngjarjeve kriminale nga policia, ndonëse përbën një skandal jo të vogël.
Ngjarja
Në fillim të gushtit ka mbërritur në Shqipëri nje ekip i televizionit britanik Channel 4 sëbashku me gazetaren e mirënjohur të çështjeve për Lindjen e Mesme, Lindsey Hilsum. Qëllimi i ardhjes së tyre lidhej me një investigim mbi jetën e muxhahedinëve iranianë që strehohen tashmë prej vitesh në vendin tonë dhe misterin që mbart brënda tij kampi – gjigand dhe i fortifikuar – ndërtuar rishtazi, ku strehohen 3.000 disidentët e regjimit të Iranit.
Shqiptarja.com mëson se gazetarja Lindsey Hilsum, e shoqëruar nga producenti i saj, Darius Bazargan, kanë udhëtuar mëngjesin e 10 gushtit në drejtim të Manzës, në Qarkun e Durrësit, për të filmuar kampin. Ata kanë qenë të shoqëruar nga një përkthyes shqiptar.
Në momentin kur gazetarja Lindsey Hilsum ka qëndruar jashtë rrethimit të kampit, në pjesën e prapme të tij, duke u përpjekur që të shikonte brenda kampit, ajo është shtyrë, madje ndaj saj është ushtruar forcë nga policia private që merret me ruajtjen, si dhe nga disa iranianë.
Një dëshmitar okular i tha Shqiptarja.com se sulmi ishte i menjëhershëm dhe se gazetarja ishte e friksuar. “Ata tentuan t’i merrnin kamerën dhe t’ia thyenin. Gazetaren e kapi paniku dhe nisi të ulërinte, ndërkohë që një djalë me shtat të shkurtër, që i shoqëronte, e kapën nga fyti”, tha ai.
Pas disa minutave ka mbërritur me urgjencë një patrullë policie, që ka marrë në mbrojtje gazetaren dhe ekipin e saj. Ata janë shoqëruar në rajonin e policisë, ku kanë treguar incidentin dhe kanë shpjeguar se ishin duke bërë punën e tyre. Pasi kanë dhënë dëshminë, janë lënë të lirë.
Incidenti
I gjithë incidenti është fiksuar nga operatori britanik dhe do të transmetohet në ditët në vijim në Channel 4. Një burim në dijeni të përmbajtjes së investigimit i tha Shqiptarja.com se materiali filmik i siguruar nga televizioni britanik dhe intervistat e marra tregojnë atë çka ndodh brënda në kamp dhe që ruhet me fanatizëm mos të dalë jashtë mureve masive të këtij kampi, të shtrirë në 26 hektarë.
Për këtë incident janë vënë më dijeni ministri Fatmir Xhafaj, autoritetet më të larta policore, si dhe Ambasada Britanike në Tiranë.
Ndërkohë SHISH i ka dërguar kryeministrit Rama një memo të detajuar për ngjarjen. Shqiptarja.com i dërgoi një email producentit Darius Bazargan, duke i kërkuar që të komentojë ngjarjen, të cilit ai u përgjigj se duhet të kontaktojë me drejtuesit e tij për të bërë deklarata publike më pas.
Shqiptarja.com për këtë incident kërkoi një prononcim nga zëdhënësi i muxhahidinëve në kampin e Manzës, i cili deklaroi se kanë dyshime se trupa e TV është në shërbim të interesave të policisë së fshehtë të regjimit të Iranit.
Reagimi i plotë i MEK:
Të premten, më 10 gusht, 2018, një ekip televiziv me tre persona, në mënyrë të fshehtë e pa njoftim paraprak, filmoi dhe fotografoi brenda vendbanimit të anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), refugjatë në Shqipëri, nga një vend ngjitur. Agjentë vendas shqiptarë të sigurisë, të cilët e pikasën këtë akt të dyshimtë e të jashtëligjshëm i kërkuan të mos filmonin dhe t’ua dorëzonin filmimet. Por anëtarët e ekipit, të cilët u prezantuan si britanikë që punojnë për televizionin britanik Channel 4 TV, e shpërfillën këtë kërkesë dhe vazhduan punën derisa erdhi policia shqiptare dhe i shoqëroi për në rajonin e policisë.
Ditën tjetër, lajmi i vizitës së tyre në vendbanimin e PMOI dhe fotografitë e bëra atje u shfaqën në faqen e Facebook-ut të Massoud Khodabandeh, një agjent famëkeq i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian (MOIS), si dhe në faqen e internetit Iran-Interlink që drejtohet nga MOIS. Kështu, u bë e qartë se ky ekip audio-vizual nga Channel 4 është në komunikim aktiv me këtë agjent inteligjence të regjimit iranian dhe ka marrë detyrën për të përgatitur një program për të denigruar PMOI. Por kur MOIS e kuptoi se publikimi i lajmit dhe fotove e kishte njollosur komplotin e saj kundër Muxhahedinëve, dha urdhër që ato të hiqen më 12 gusht.
Më 10 gusht, menjëherë pas ardhjes së ekipit të filmimit të Channel 4, një zëdhënës për shtyp i PMOI i shkroi një letër urgjente redaktorit të kanalit televiziv, ku tregonte historinë dhe kërcënimet me të cilat përballen Muxhahedinët në Shqipëri: “Jemi shumë të shqetësuar se videot e filmuara do të bien në duart e Ministrisë iraniane të Inteligjencës,” por nuk mori asnjë përgjigje. Ai i dërgoi një letër tjetër redaktorit më 13 gusht rreth publikimit të fotografive, ku përshkruante historinë e agjentit të MOIS, Khodabandeh, dhe bashkangjitur kishte dy raporte nga një grup parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar dhe nga Divizioni Federal Amerikan i Kërkimit të Bibliotekës së Kongresit rreth varësisë së tij nga MOIS, si dhe kërkonte një shpjegim nga redaktori. Letra mbetet pa përgjigje.
Pretendimet se reporteri është rrahur janë plotësisht gënjeshtra. Për informacionin tuaj, personi i parë që pretendoi se reporteri është rrahur ishte Massoud Khodabandeh, agjenti iranian i inteligjencës. Kështu që origjina e këtij pretendimi është ministria iraniane e inteligjencës. Për më tepër, nëse personat e sigurisë të cilët, bazuar në këshillën e qeverisë shqiptare, janë atje për mbrojtje, do të kishin bërë ndonjë gjë gabim, policia do t’i kishte ndaluar ata, dhe jo reporterët. Gënjeshtrat dhe mbledhja e informatave rreth kompleksit të MeK janë pjesë e përgatitjes së terrenit për sulmet terroriste kundër refugjatëve iranianë. Në mënyrë të ngjashme, në mars një komplot terrorist kundër kompleksit të tyre rezidencial u parandalua dhe dy “reporterë” iranianë u arrestuan.
Nuk dihet ende nëse policia dhe prokuroria e Durrësit kanë zhvilluar hetime për incidentin e rëndë pas marrjes së dëshmisë së gazetares britanike dhe ekipit të saj, apo të kenë marrë në pyetje rojet e sigurisë në kamp, protagonistë në goditjen e njerëzve të medias angleze.
Ky nuk është një incident i izoluar mes muxhahidinëve që strehohen në kamp dhe medias ndërkombëtare, e interesuar të raportojë për jetën e tyre. Shqiptarja.com mëson se disa kohë më parë ka patur një tjetër përplasje me një gazetar, po anglez, të gazetës “The Guardian”, i quajtur Arron Merat.
Profili/ Lindsey Hilsum, kush është gazetarja e Channel 4
Lindsey Hilsum është redaktore e lajmeve ndërkombëtare në kanalin prestigjioz britanik Channel 4. Ajo ka mbuluar, gjatë karrierës si gazetare, konfliktet kryesore të botës në dy dekadat e fundit, duke përfshirë luftërat në Irak, Afganistan dhe Kosovë, si dhe konfliktin izraelito-palestinez. Në vitin 2011 ajo raportoi nga terreni për trazirat në Egjipt, Bahrein dhe Libi. Ka bërë reportazhe të shumta nga Irani dhe Zimbabveja, si dhe ka qenë korrespondente për Channel 4 në Kinë nga viti 2006 deri në vitin 2008. Gjatë sulmit amerikan të vitit 2004 në Falluxha të Irakut, ajo ishte në vijën e parë të sulmit sëbashku me marinsat amerikanë, ndërkohë që ishte e vetmja gazetare e huaj që fliste anglisht në Ruanda kur nisi genocidi. Para se të angazhohej në gazetari, ka punuar me misionet e ndihmave në Amerikën Latine dhe në Afrikë.
Libri i saj i parë “Stuhia e rërës: Libia në kohën e revolucionit” u botua në Britani në prill të vitit 2012 dhe në maj të po atij viti në SHBA.
Hilsum është nderuar me një doktoratë nderi nga Univeriteti anglez i Esseksit në vitin 2004 dhe ka marrë një numër çmimesh si psh gazetarja televizive e vitit, etj dhe medalje nga Shoqata Mbretërore e Gjeografisë.
Disidentët
Si u vendosën në Shqipëri 3 mijë kundërshtarët e regjimit të Teheranit
Që prej vitit 1986 në tokë irakiane, në kufirin mes Irakut dhe Iranit, ishte ndërtuar nga amerikanët kampi Ashraf, ku strehoheshin disidentët e regjimit të Iranit. Vendosja e tyre në Shqipëri filloi kur qeveria Berisha pranoi të strehonte 210 muxhahedinët e parë, të cilët mbërritën në Tiranë në maj 2013. Të gjithë banorët e kampit Ashraf erdhën në Shqipëri pas një marrëveshjeje të kryeministrit Rama me ish-sekretarin e Shtetit amerikan Xhon Kerri në vitin 2016.
Organizata e Muxhahedinëve Popullorë të Iranit (MEK) është një lëvizje që vepron në emigrim për rrëzimin e regjimit aktual në Iran.
3.000 muxhahidinët iranianë që erdhën në Shqipëri, më parë kishin jetuar në banesa të marra me qira, ndërsa tani strehohen në zonën e Manzës, disa kilometra larg qytetit të Durrësit. Mësohet se paratë për blerjen e tokës dhe ndërtimin e banesave të reja në kuadër të një kampi janë financuar nga komuniteti i disidentëve iranianë që jetojnë kryesisht në Europë. Banesat e reja rrethohen nga një perimetër sigurie për të evituar çdo rrezik të mundshëm.
Mbrojtja e disidentëve iranianë të ardhur në Shqipëri garantohet nga agjentët e Shërbimit Informativ. Ndërkohë, kampi ruhet me roje private.
“Ne do të qëndrojmë në Manzë deri në momentin kur në Iran të marrë fund regjimi diktatorial. Ëndrra jonë është të kthehemi pranë familjeve tona në një Iran të lirë”, është shprehur jashtë kamerës për Report TV njëri prej tyre.
Diskutime rreth kësaj post