Artur Mejdani denoncoi në emisionin “Stop” sesi u detyrua t’i jepte 2 milionë lekë të vjetra administratores Tatjana Toska, për një vend pune shofer në Shoqatën Kombëtare “Për mirëqënie dhe përkujdesje sociale”. Por pas disa muajsh, veç parave të marra kredi, Arturi nuk merrte as rrogën.
“I jam drejtuar emisionit Stop për të vetmen arsye sepse një zonjë, e quajtur Tatjana Toska, më premtoi një vend punë në shkëmbim të 2 milionë lekëve (të vjetra). Ia kam dorëzuar paratë vetë asaj në dorë, në shtëpinë e saj. Ajo më premtoi një punë në shoqatë. Më futi më punë prej pesë muajsh. Punova 4 muaj dhe dola nga ajo punë sepse nuk më paguante, nuk po më jepte lekët. Aty kishte lloj lloj punësh, si mirëmbajtja e bahçes, pastrim territori dhe shofer nëpër rrethe e ndërmarrje, ku kërkonim ndihma për këtë shoqatë”, u shpreh denoncuesi.
Ai shtoi se administratorja e shoqatës, që i mori paratë në këmbim të punësimit, punon edhe në Bashkinë e Beratit, në sektorin e gjelbërimit.
“Ia dhashë lekët që në muajin Shkurt të vitit 2018. Fillova punë në 1 Mars dhe kam punuar deri në fund të Qershorit. Rroga ka qenë 300 mijë lekë e deklaruar. Në fund të muajit Mars më kanë dhënë vetëm 200 mijë lekë, nja dy herë më ka dhënë nga 50 mijë lekë, një herë më dha i shoqi i saj 100 mijë lekë dhe një herë ajo vetë më dha 50 mijë lekë”, shpjegoi Artur Mejdani, i cili mori kredi për t’i paguar paratë administratores Toska.
Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me Tatjana Toskën, e cila mohoi kategorikisht çdo lloj akuze.
Gazetari – Si kalove? Genci Angjellari nga Tv Klan, emisioni “Stop”. Si jeni, mirë? Kemi disa pyetje për shoqatën dhe disa ankesa. Mundet të flasim?
Administratorja Tatjana Toska – Po!
Gazetari – Ju jeni administratorja?
Administratorja Tatjana Toska – Po!
Gazetari – Kemi një ankesë nga zoti… Artur Mejdani. Ai pretendon se ju ka dhënë disa lekë për një vend pune. Por… si është e vërteta?
Administratorja Tatjana Toska – S… ëëë po çuditem me thënë të drejtën.
Gazetari – Sapo e takova, i kam marrë dhe një intervistë, madje kishte dhe disa mesazhe që i kishit shkëmbyer. Bëhet fjalë për 2 milionë lekë, një gjë e tillë.
Administratorja Tatjana Toska – Po çuditem…
Gazetari – Nuk i ke marrë lekë domethënë zotërisë?
Administratorja Tatjana Toska – Tani, miqësisht e diskutojmë, e zgjidhim bashkë këtë gjë sepse unë jam grua që kam një jetë të tërë në këtë qytet, kam djalin…
Gazetari – Në qoftë se s’të ka dhënë lekë, ne nuk kemi çfarë të sqarojmë. Në qoftë se të ka dhënë, ne do të negociojmë që t’ia kthesh, kjo është e gjitha.
Administratorja Tatjana Toska – Gjithsesi, Tatjana po ta thotë një gjë sinqerisht, kam një jetë, për pak javë bëj 50 vjeç…
Gazetari – Edhe 100!
Administratorja Tatjana Toska – Faleminderit dhe mezi pres që të bëj një gjë shumë të rëndësishme në këtë qytet, me një karrierë shumë të gjatë në këtë qytet.
Gazetari – Nejse, ato nuk, nga…
Administratorja Tatjana Toska – Dhe jam aktualisht punonjëse e stafit të Bashkisë Berat, por tani që po flasim bashkë, sot unë jam larguar për t’u emëruar në një detyrë tjetër. Nuk bëj pjesë në ato lloj grash dhe ato lloj organizatash, se më njeh i madh e i vogël në këtë qytet, prandaj jam nga mëngjesi në darkë në shërbim të njerëzve në nevojë.
Pas mohimit të saj, emisioni “Stop” e përballi me denoncuesin për të kuptuar se kush po gënjente.
Administratorja Tatjana Toska – Ke Gëzimin dëshmitar ëëë?
Artur Mejdani – Po! Kam Gëzimin dëshmitar.
Administratorja Tatjana Toska – Më ka dhënë mua…?
Artur Mejdani – Po kam ardhur në shtëpi, t’i kam dhënë paratë.
Administratorja Tatjana Toska – Mua ëëë?
Artur Mejdani – Po!
Administratorja Tatjana Toska – Turi, po bën shumë gabim…
Artur Mejdani –Ti! Ti po bën! Mos e moho këtë, mos bëj këtë gabim se ti i ke të tëra të filmuara, i kam unë të filmuara, i kanë dhe këta të filmuara.
Administratorja Tatjana Toska – Edhe të filmuara, edhe ti edhe këta… unë nuk të kam marrë asnjë lekë.
Artur Mejdani – 2 milionë mua dhe 3 milionë Gëzimit.
Administratorja Tatjana Toska – Si është kjo…?
Artur Mejdani – 3 milionë Gëzimit, unë nuk po i hyj Gëzimit fare, kjo nuk ka rëndësi.
Administratorja Tatjana Toska – Çfarë është kjo?
Artur Mejdani – Unë mbaj përgjegjësi për veten time. Të kam dhënë 2 milionë lekë. Mua më jep lekët e punës dhe lekët që të kam dhënë!
Administratorja Tatjana Toska – Më ke dhënë mua ti lekë?
Artur Mejdani – Po! 2 milionë lekë në dorë. Mu në shtëpinë tënde.
Administratorja Tatjana Toska – Ku m’i ke dhënë 2 milionë lekë?
Artur Mejdani – Ty t’i kam dhënë mu në shtëpi.
Administratorja Tatjana Toska – Me gjithë mend e ke?
Artur Mejdani –Po! Të kam ardhur në darkë në shtëpi.
Administratorja Tatjana Toska – Po pse e bën këtë ti? Nga kush je nxitur?
Artur Mejdani – Nga asnjë. Unë dua lekët e bukës time, lekët e bankës se po më kërkon banka!
Nuk ma mohon dot, se unë të bie Gëzimin këtu. Ndryshe t’i paguajë Gëzimi se unë me Gëzimin të kam sjellë lekët në shtëpi.
Administratorja Tatjana Toska – Po flet shumë gabim!
Gazetari – Pa merre një herë Gëzimin në telefon, ta dëgjojmë një herë Gëzimin?
Artur Mejdani – Po!
Gëzimi – Alo!
Artur Mejdani – Ku je?
Gëzimi – Në shtëpi. Tani erdha.
Artur Mejdani – Ore Gëzo, ishim bashkë ne që i çuam lekët Tatjanës atje tek shtëpia ne?
Gëzimi – Po!
Artur Mejdani – Sa lekë i çova? I çova 2 milionë lekë?
Gëzimi – Po, i çove.
Artur Mejdani – Dhe ti 3 milionë lekë pas një jave?
Gëzimi – Po!
Artur Mejdani – Kaq kisha!
Administratorja Tatjana Toska – Kush më ka dhënë mua 3 milionë lekë?
Artur Mejdani – S’kam punë me këtë tjetrin. Unë dua të zgjidh këtë timin.
Administratorja Tatjana Toska – Kush më ka dhënë mua, edhe një herë? Ti më ke dhënë mua me Gëzimin?
Artur Mejdani – 2 milionë.
Administratorja Tatjana Toska – Tani do ta gjej unë se kush ju ka futur për të marrë lekët.
Artur Mejdani – Asnjë.
Administratorja Tatjana Toska – E ke shumë gabim!
Artur Mejdani – Kjo është e vërteta!
Administratorja Tatjana Toska – Unë jam grua këtu, ditë edhe natë.
Gazetari – Zonjë, i ke marrë apo jo?
Administratorja Tatjana Toska – Asnjë lekë!
Gazetari – E sigurtë?
Administratorja Tatjana Toska – Fare! Zero!
Gazetari – Ok! Mirupafshim!
Por para se të shkonte me gazetarin e emisionit “Stop”, Artur Mejdani shkoi vetëm me kamerën e fshehtë te administratorja Tatjana Toska për t’i kërkuar paratë. Ajo mori përsipër paratë e bankës dhe i dha një shumë të vogël atij, duke i kërkuar ta mbyllë çështjen.
Dita 1
Administratorja Tatjana Toska – Merre këtë 50-tëshe tani, që mos të të nxjerr duarbosh!
Artur Mejdani – Të lutem! Mua nuk më bën punë ajo! Nuk zgjidh dot asnjë gjë me atë! Të lutem! Nuk zgjidh dot asnjë gjë me atë 50-tëshe. Më vjen keq tani dhe me atë 50-tëshe, vajta lava bukën, vajin çfarë kishte marrë ajo, makaronat. Po të vish në shtëpi të shikosh, supë me makarona kemi bërë ne.
Administratorja Tatjana Toska– Deri të hënën në darkë, sot e shtunë, e dielë dhe s’kam ku të gjej. Po mirë, ti kujton se kam dhe s’të jap?
Artur Mejdani – Bëj një çikë sakrificë!
Administratorja Tatjana Toska – Po ku, ja…!
Artur Mejdani – Unë vajta, mora në bankë për ty, më vjen keq tani! T’i solla 2 milionë lekë.
Administratorja Tatjana Toska – Tani dëgjo! Bankën ta kam marrë përsipër ty, do të të jap… edhe diçka, të të them një gjë! Në qoftë se unë do të të laj bankën një mal me lekë, i bie pastaj që të më vejë dhe mua dyfish.
Artur Mejdani – Me atë dhe me punën, mua më ke 2 milionë e 850 mijë lekë se 50 mijë lekë m’i dhe pardje.
Dita 2.
Artur Mejdani – Ti s’e hap telefonin! Ato lekët?
Administratorja Tatjana Toska – S’të kam marrë se unë aplikova, e fitova aplikimin dhe kam qenë tek shoqata këto 2-3 ditë. Atje kam qënë dhe vetë jam larguar nga puna se do të merrem me shoqatën.
Artur Mejdani – Po të paktën na gjej ndonjë punë, ku, qysh, tek…?
Administratorja Tatjana Toska – Edhe ato do t’i jap unë, edhe ato do t’i jap…
Artur Mejdani – Po m’i kërkon edhe banka, o ti…!
Administratorja Tatjana Toska – Jo! S’ke punë me bankën ti, ta kam marrë unë përsipër bankën!
Artur Mejdani – Pse më marrin në telefon mua, ata?
Administratorja Tatjana Toska – Jo…, çfarë lexon këtu? Fondacioni Besa, drejtori i Fondacionit Besa. Do Zoti i rregullojmë, i mbyllim sot dhe nesër dhe do flasim pastaj! Unë nuk tradhëtoj as ty, as atë tjetrin!
Artur Mejdani – Ti e di…!
Administratorja Tatjana Toska – Mirë!
Artur Mejdani – Mirupafshim!
Administratorja Tatjana Toska – Do të marr unë mbasdite në telefon! Të jap fjalën!
Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj bënë apel për kontroll në këto pseudo shoqata që mashtrojnë njerëzit./tvklan
Video:
Diskutime rreth kësaj post