Skandal në Rozzano të provincës së Milanos: këshilltari për sigurinë dhe policinë lokale boton “kalendarin e gjuetisë” së jokomunitarëve dhe quan si kafshë këdo që nuk është italian.
Nga Irma Kurti
Në jetën e përditshme ndeshemi shpesh me episode të racizmit që vijnë nga njerëz të vegjël e meskinë. Rëndom përpiqemi t’i largojmë nga vetja, t’i quajmë të parëndësishme, arrijmë deri aty sa, për të qetësuar veten, t’i konsiderojmë “normale” sepse jo të gjithë mund të kenë një mentalitet të hapur, modern, të aftë për të pranuar dhe për t’i quajtur qënie njerëzore të njëjta e pa dallime, të tërë ata që kanë një tjetër origjinë, një tjetër racë apo ngjyrë. Por kur këto fyerje vijnë nga “të zgjedhurit”, nga funksionarë të lartë të arenës politikës italiane justifikimet mungojnë.
Këto ditë ka ngjallur jo pak polemika në shtypin italian veprimi i këshilltarit për sigurinë dhe policinë lokale në Rozzano, Marco Andrea Ercoli. Në një chat privat mes politikanësh ai botoi këtë postim:
“Kalendari i gjuetisë, hapja e sezonit, gjatë gjithë vitit ndaj kafshëve të gjahut migratore: marokenë, rumunë, bullgarë, shqiptarë, kosovarë, talebanë, afganë, ciganë, jokomunitarë në përgjithësi”.
Dhe më poshtë vijon se: “Në prezencë të kopeve të shumta lejohet edhe përdorimi i granatave të dorës, armëve automatike dhe gazit helmues”.
“Kalendari” s’mbeti vetëm në rreshtat e chat-it, një anonim e shndërroi atë në një fletëpalosje duke e shpërndarë në tregun e qytetit. Kritika të shumta kanë ardhur nga opozita, e cila ka kërkuar dorëheqjen e këshilltarit. Ndërkohë kryetarja e bashkisë Barbara Agogliati e ka justifikuar veprimin duke e quajtur një “gabim nga pakujdesia
Nuk është e rëndësishme nëse z. Ercoli përfaqëson forcën politike të PD apo të Lega Nord. Habia dhe zhgënjimi më i madh vijnë nga fakti se të tilla nofka, thirrje fyese, denigruese, destabilizuese, që përligjin dhunën e violencën vijnë nga një funksionar, nga një përfaqësues i interesave të popullit, nga ai që duhet të përcjellë mesazhe paqeje dhe dashurie, ai që duhet të tregojë me shembullin e vet se si mund të bashkëjetohet në harmoni midis etnive të ndryshme në një vend demokratik si Italia që vazhdon të jetojë në një klimë të nxehtë temperaturash dhe debatesh për emigracionin.
Në emër të komunitetit shqiptar në Rozzano, Skënder Zeneli, duke shprehur indinjatën për këtë gjest të papërgjegjshëm, thotë: “Pak ditë më parë në një takim me kryetaren e bashkisë kërkuam dorëheqjen e këtij eksponenti, por për fat të keq veprimi i tij u minimizua dhe u justifikua. Jemi të vendosur ta vazhdojmë protestën tonë edhe në bashkëpunim me komunitetet e tjera të huaja që jetojnë në Itali”.
Diskutime rreth kësaj post