Emisioni “Fiks Fare” ka evidentuar rastin sesi Bashkia e Vorës, në mënyrë të jashtëligjshme ka shkarkuar nga detyra edukatoren Ineda Kullaj, e cila është emëruar nga Drejtoria e Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë.
Në anën tjetër, bashkia ka emëruar një përgjegjëse kopshti, e cila nuk lejon drejtoreshën aktuale Brunilda Bali të hyjë në institucionin që ajo me ligj e drejton.
Ineda, pasi është paraqitur si çdo ditë në orarin zyrtar në punë, roja e Kopshtit Publik Vorë nuk e ka lejuar të hyjë brenda. Ai është shprehur se ka urdhër nga përgjegjësja për të mos e lejuar atë të hyjë.
“Fiks Fare” i është drejtuar, së bashku me edukatoren, drejtoreshës së institucionit Brunilda Bali, e cila është njëkohësisht edhe drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare Vorë. Në zyrën e saj, drejtoresha u shpreh se Ineda është emëruar nëpërmjet një shkresë zyrtare, në bazë të ligjit 69/2012 për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.
Sipas saj, bashkia ka pushuar nga puna edukatoren duke shkelur ligjin, si dhe ka emëruar një përgjegjëse, e cila në bazë të inspektimit të kryer nga Inspektoriati Shtetëror Arsimor nuk plotëson kriteret.
“Bashkia e Vorës ka bërë një shkarkim, i cili nuk bazohet në ligj. Aktualisht, ndryshimet e propozuara për emërimin e drejtuesve të kopshteve nga bashkitë, ende nuk janë miratuar në Parlament. Ndaj vazhdon të jetë në fuqi ligji i vjetër, nr. 69 i vitit 2012 pa ndryshimet e kërkuara”, tha drejtoresha.
Të njëjtën gjë e thotë qartë edhe shkresa e Ministrisë së Arsimit, e cila e cilëson si të kundërligjshme veprimin e Bashkisë Vorë.
“Unë jam drejtoresha e institucionit, kam vulën dhe çoj listën e pagave në bashki. Ineida rezulton aty, edhe pse nuk e merr pagën”, pohon Bali .
“Fiks Fare” ka ballafaquar së bashku edukatoren, drejtoreshën e kopshtit dhe përgjegjësen e zgjedhur nga bashkia. Roja e kopshtit nuk e ka lejuar drejtoreshën të hyjë në institucion. Ndërkohë ka lajmëruar përgjegjësen, e cila në ballafaqim me drejtoreshën e ka pranuar se kjo e fundit është titullaria e institucionit, por në anën tjetër ajo u shpreh se kjo është një çështje që duhet të zgjidhet nga bashkia.
“Po, unë e njoh zonjën, është drejtoresha. Nuk e kam shkarkuar unë edukatoren, por bashkia, ndaj përgjigjen duhet ta merrni atje”, ka përfunduar përgjegjësja e kopshtit, e cila më pas është larguar, ndërsa roja ka mbyllur portën e institucionit duke lënë jashtë edukatoren dhe drejtoreshën.
“Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë Vorë, e cila nëpërmjet një shkresë zyrtare njoftoi se nuk e njihte drejtoreshën e kopshtit si titullare. Shkresa e Bashkisë Vorë nuk kishte asnjë argument ligjor për shkarkimin e edukatores, e cila cilësohej si me kontratë dhe jo definitive.
Emisioni “Fiks Fare” kërkoi sërish një ballafaqim dhe pas 3 ditësh mori një përgjigje nga drejtori i Arsimit Vorë. Drejtori nuk e priti gazetaren në zyrë, por jashtë kamerave premtoi se do të sistemonte edukatoren e hequr padrejtësisht. I pyetur se përse është shkelur ligji nr.69 i vitit 2012, drejtori Ymer Kodra hezitoi të përgjigjej dhe u largua pa dhënë asnjë argument, që të vërtetonte të kundërtën.
Diskutime rreth kësaj post