Edhe këtë vit asnjë nga bartësit privat të arsimit të lartë nuk i kanë plotësuar kushtet të akreditohen si universitete, thonë udhëheqës të Agjencisë se Kosovës për Akreditim.
Në Kosovë veprojnë 30 institucione të arsimit të lartë. Nga ky numër, nëntë janë të akredituara në rajone të ndryshme të vendit si universitete publike, kurse 21 janë kolegje private dhe asnjë universitet privat.
Akreditimi është një procedurë formale dhe transparente e kontrollimit të cilësisë, gjatë së cilës një organ i pavarur vërteton në bazë të standardeve të definuara, ndërkombëtarisht të njohura, nëse institucionet e arsimit të lartë, përkatësisht programet e studimeve i përmbushin kërkesat minimale të cilësisë.
Blerim Rexha, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, këshill ky që funksion si organ qeverisës i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, thotë për Radion Evropa e Lirë se akreditimi është proces në vazhdimësi, por deri më tani thotë ai, asnjë kolegj privat i arsimit të lartë, nuk ka arritur që të marrë titullin e universitetit.
“Por, presim që disa nga këto institucione, në vitet në vijim, të përkushtohen dhe të bashkojnë energjitë e tyre dhe të arrijnë kushtet e duhura që ndoshta në një të ardhme të afërt të marrin edhe titullin e universitetit”, tha Rexha.
Ai tregon se cilat kritere të nevojshme për akreditim si universitete private nuk i kanë plotësuar kolegjet që veprojnë në vend.
“Kriteri themelor është që të ketë studime të doktoratës dhe për këto studime, kolegjet së pari duhet të plotësojnë studimet e nivelit master, ku kërkohen komponentë shkencore dhe kreative”.
“Pastaj, kjo komponentë shkencore kreative të thellohet edhe me studime të doktoratës. Këtu çalojnë institucionet e arsimit të lartë privat në Kosovë, e po ashtu edhe disa publike”, thotë Rexha.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje të arsimit thonë se cilësia e arsimit vazhdimisht është vlerësuar nën nivelin e duhur dhe për këtë arsye, kolegjet private nuk mund të akreditohen si universitete.
Ata madje shprehen se në Kosovë duhet të zvogëlohet numri i kolegjeve private.
Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, thotë se arsimi i lartë në tregun e Kosovës është tërësisht i çrregulluar për shkak të se cilësisë ulët dhe numrit të madh të kolegjeve dhe studentëve të regjistruara në to.
Ai vlerësonse qëllimi kryesor i veprimit të kolegjeve private në Kosovë është përfitimi dhe jo arsimi.
“Nuk ka cilësi as në universitetet private dhe as në ato publike. Dhe nevojitet një ndryshim radikal në zhvillimin e politikave në fushën e arsimit, pjesë e së cilës duhet të jetë edhe arsimi i lartë’’.
“Trajtimi i ndarjes së arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë ka bërë që të krijohet një gjendje kaotike e cila nuk po lejon që të kemi një vizion në çfarë drejtimi duhet të shkojë zhvillimi i arsimit të Kosovës”, ka thënë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, akreditimi në fushën e arsimit të lartë i ofron shoqërisë dhe të gjitha grupeve të përfshira të interesit, siguri se cilësia e mësimdhënies dhe studimit i përmbushë standardet minimale ndërkombëtare.
Diskutime rreth kësaj post