Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit po mbajnë pezull nisjen për në Shqipëri të grupit të qytetarëve afganë, raporton VOA. Për dy ditë me radhë fluturimi është shtyrë në kohë të ndryshme. Parashikimi i fundit ishte se avioni do të nisej dje rreth orës 13 nga Kabuli, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur.
Në një takim që pati me drejtues të disa strukturave të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit e të Policisë Kufitare, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. është shprehur se situata po ndiqet minutë pas minuti në bashkëpunim me aleatët dhe se janë marrë të gjitha masat, kurdo që të mbërrijë avioni i parë.
Ministrja Xhaçka është caktuar koordinatore për operacionin humanitar në ndihmë të shtetasve afganë. Ajo inspektoi qendrën pritëse dhe strukturat akomoduese, të ngritura posaçërisht pranë aeroportit, e ku qytetarëve afganë do t’u jepet ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme.
Qendra, sipas njoftimit të ministrisë, është e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë, dhe ka një kapacitet prej 400 personash. Strukturat në aeroport do të shërbejnë si ndalesa e parë pas mbërritjes në Shqipëri. Më pas, është parashikuar që me përfundimin e modaliteteve ligjore, qytetarët afganë, do të shoqërohen në strukturat pritëse në Tiranë apo Durrës, në varësi të numrit të personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.
Ndërsa kryeministri Rama reagoi ndaj zërave kritikë për vendimin e qeverisë së tij.
“Është me të vërtet shqetësuese të lexosh se Shqipëria po strehon afganët vetëm se një gjë e tillë është kërkuar nga SHBA. Njëjtë siç është qesharake t’u kthesh atyre kurrizin dhe të fajësosh vetëm SHBA-në. Ne ishin të gjithë si pjesë e NATO-s dhe ata njerëz ishin në krahun tonë, sepse ata besonin në idealet mbi të cilat bazohet SHBA dhe BE”, – tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post