Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thekson se situata me zjarret në vend po precipiton pasi ka mbi 70 vatra në gjithë territorin.
Meta thotë se duhet patjetër një ndërhyrje emergjente dhe e koordinuar nga të gjitha institucionet teksa e vlerëson si të patolerueshme që punonjësit në disa raste shfaqen vetëm me mjete rrethanore.
Për më tepër, Meta propozon që shteti shqiptar duhet t’i drejtohet për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane për shkak të situatës.
Po ashtu Presidenti kërkon që shteti shqiptar të përfshijë edhe Forcën Ajrore për operacione efikase. Mes rrashtash, Meta kritikon edhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako sipas të cilit po kryen shpërdorim detyre dhe i kërkon të kthehet urgjent për të kryer detyrimet.
Njoftimi nga Presidenca:
“Reagim i Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për situatën e zjarreve
2 gusht 2021
Me shumë shqetësim po ndjek prej ditësh situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore.
Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë, për të qenë në gatishmëri për situata të papërballueshme për kapacitetet lokale, në përgjigje edhe të paralajmërimeve të bëra më herët nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Duke vlerësuar sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, konstatoj se megjithatë situata po percipiton shumë rrezikshëm.
Aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore.
Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike.
I njohur me thirrjen publike të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ndaj të njëjtin vlerësim mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe e dënoj me forcë këtë sjellje të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kufijtë e veprës penale, të shpërdorimit të detyrës.
Nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore, në veçanti Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe marrjen e çdo mase të duhur, nëpërmjet angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, përfshi Forcën Ajrore, për të kryer operacione efikase në rajonet ku rrezikohen jetët e qytetarëve dhe zonat e mbrojtura.
Vlerësoj gjithashtu nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private.”-shkruan Presidenca.
Diskutime rreth kësaj post