Anëtari i Kryesisë së Demokratëve Euroatlantikë, Myzafer Elezi deklaroi të hënën situata me zjarret në vend është pasqyrë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Sipas tij, 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, ndërsa përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.
Elezi deklaron se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.
“Në fshatrat e Finiqit, Selenicës, Pustecit, Tropojës, Matit, Dibrës, Bulqizës dhe shumë të tjerë, flakët po kërcënojnë jo vetëm mjedisin dhe pasurinë tonë natyrore, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Ndërkohë, forcat operacionale dhe zjarrfikësit po përballen me sfida të mëdha në terrene të vështira, duke luftuar me të gjitha forcat e tyre për të mbajtur situatën nën kontroll. Situata kritike e zjarreve në Shqipëri dëshmon për neglizhencën e Qeverisë dhe mungesën e koordinimit të duhur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit tonë. Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen. Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pasurive tona natyrore duhet të jenë prioriteti numër një i çdo qeverie të përgjegjshme. Qytetarët meritojnë mbështetje dhe zgjidhje. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Elezi në rrjetet sociale.
Diskutime rreth kësaj post