Avokati Spartak Ngjela komentoi ditën e djeshme situatën ekonomike në Shqipëri dhe pasojat që do të vijnë pas periudhës së karantinës. Gjatë një interviste televizive avokat Ngjela u shpreh se Rama ka hedhur në treg euro të tepërta me të cilat bëri paratë e rrogave.
Por i pyetur nëse kjo situatë do të forcojë më shumë pushtetin e qeverisë, Ngjela deklaroi se kryeministri Rama e lëvizi monedhën brenda dy ditësh, duke shtuar se askush nuk po reagon. Në reagimin e tij, avokati nuk nguroi të sulmojë as guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
“Ne kemi vetëm një anë të medaljes, epideminë, por nuk kemi analizë perfekte për tregun sepse qeveria nuk jep informacion. Si komunistët. E jep Kina informacionin, as këta nuk japin, por nga eksperienca ime. Një gjë e luajti ky që na dëmtoi të tërëve. Lëvizi monedhën brenda dy ditësh, por askush nuk flet këtu. Media juaj tregoi se Shqipëria nuk ka ekonomist, por kontabilist. Dy ditë pas epidemisë iku monedha euro 10 pikë. Por çfarë bëri ky, se ky nuk ka guvernator? Ai është mediokër, sepse nuk e njeh profesionin. Mos mendoni se ka 8-10 ka guvernatorë të zotë në botë, të tjerët janë si ky i yni”, tha Ngjela.
Avokati tha se Rama pasi mori pushtetin pranoi idenë për të marrë një guvernator të njohur, por e ndaloi presidenti Ilir Meta.
“Ky s’ka guvernator ai është mediokër, ai nuk e njeh profesionin, është profesion i lartë Guvernatori i Bankës. Rama ma ka pranuar këtë si ide dhe kur mori pushtetin, e bëri përpjekjen që të binte një guvernator të njohur, dhe mori një të Argjentinës, të cilit unë ja pashë emrin dhe ishte një nga të mirët dhe i vjetër në moshë, por nuk ja la Ilir Meta dhe morën këtë. Edhe ai e di që është një profesion i vështirë”, tha Ngjela.
Avokati shtoi më tej se ekonomia e vendit tonë do të ketë probleme.
“Pati euro të tepërta, ktheu monedhën dhe me këto dha rrogat. Unë jam partizan që paratë duhet të hidhen në treg, por jo të spekulohet me monedhën. Ekonomia do të ketë problem, por a është i aftë Rama të rikonstruktojë tregun? Në krizat perëndimore në momentet e bllokimit kanë falimentuar biznese dhe unë mendoj që këtu kapitali i madh do të falimentojë 40% sepse bankat kanë humbur kredibilitetin. Raporti i tyre me bankat do të jetë i dobët dhe për 40 % banka nuk do ju përgjigjet e do ju marrin asetet se i kanë në kolateral”, tha Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post