Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në disa zona të vendet, teksa situata më e rënduar është paraqitur në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka bërë me dije se situata paraqitet kritike tek përroi i Manatisë. Ai po ashtu theksoi se situata në qarkun e Lezhës është në kontroll dhe se të gjitha mjetet janë në terren.
Në lidhje me Shkodrën, Çako tha se pjesa e Obotit, Oblikës si edhe Bushatit kanë paraqitur situatë më problematike.
Megjithatë ai theksoi se nuk ka vend për panik, pasi ekipet e emergjencës ndodhen në terren për të monitoruar situatën.
“Për fat të mirë nuk ka familje të përmbytura, nuk ka prezencë uji në banesa. Ka në disa rrugë në qytetin e Lezhës dhe shpresoj që niveli i ujit të tërhiqet. Të gjitha strukturat operacionale janë në gatishmëri dhe ditën e nesërme pritet intensitet i shtuar i reshjeve. Rruga Lezhë Milot është e aksesueshme, një lagje në pjesën lindore ishte një rrugë të kufizuar për shkak të prezencës së ujit nga Përroi i Manatisë. Ka nivel të shtuar të lumit Drin të Lezhës, por situate po monitorohet dhe deri tani nuk ka pasur nevojë për evakuim”, tha Çako për News 24.
“Pjesa e Obotit, Oblikës, Bushatit për shkak të përqendrimit të shumë lumenjve në drejtim të derdhjes së Bunës dhe të një liqeni të Shkodrës rritjet janë në nivele maksimale. Mund të themi që niveli në Lumin Drin kap kuotat 6.2 metër, ndërsa niveli maksimal është 7.5. Ndërsa për zonat e tjera është në varësi të prurjeve dhe kemi një stabilitet dhe kontroll të baseneve, pasi po monitorohen”, bëri ai me dije për Shkodrën.
Diskutime rreth kësaj post