Moti i keq dhe me reshje të dendura shiu do të vazhdojë edhe të mërkurën.
“Situata pritet të përkeqësohet pas mesnatës dhe paraditen e nesërme, por më problematike do të jetë në pjesën qendrore dhe jugore të vendit”, bëri të ditur për mediat sinoptikania Lajda Porja.
Sipas saj, qytetet më të rrezikuara janë Gjirokastra dhe Saranda, ku pritet të kenë 90 mm deri në 100 mm shi gjatë orëve në vijim.
“Gjatë orëve në vijim dhe në orët e mbrëmjes do kemi pauza të shirave, por do vazhdojnë. Pas mesnatës do të ketë zhvillim të vranësirave, si dhe reshje shiu me intensitet do të ketë pjesa qendrore dhe jugore. Problemi mbetet në zonat qendrore dhe jugore”, tha Porja.
Sipas saj, deri në orët e mbrëmjes shirat do jenë prezentë por nuk do ketë probleme.
“Në Tiranë ka patur 103 mm shi në 5-6 orë. Shkodra, Lezha, Laçi, Kruja e Burreli do kenë reshje por më pak, 30-40 mm. Problematike një pjesë e qendrës dhe zonat jugore, kryesisht Gjirokastra dhe Saranda. Në këto zona pritet edhe erë e fortë, kryesisht deti. Pritet të përmirësohet situata nesër pasdite dhe gjatë të mërkurës dhe të premtes. Në zonat malore në ditët në vijim do ketë edhe reshje bore. Nga e mërkura do bien temperatura”, tha Porja.
Diskutime rreth kësaj post