Presidenti i vendit Barjam Begaj, i ka dërguar një letër ngushëllimi Mbretit Charles III, pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II, monarkes më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, 70 vite në fron.
Mirëpo një frazë në letrën ngushëlluese të Presidentit, ka shkaktuar furtunë dhe shumë kritika në adresë të tij.
“Në kohët moderne, kur sistemi monarkik dukej i tejkaluar, Shkëlqesia e Saj e sfidoi kohën gjatë gjithë mbretërimit të Saj...”, shkruan Begaj.
Pavarësisht se Presidenti ka dashur të vërë në pah suksesin e Mbretëreshës në tejkalimin e pikëpyetjeve mbi fatin e monarkisë edhe në kohët e sotme, këshilltarët e tij mund ta kishin evituar këtë frazë që mund të lërë vend për keqkuptime.
Gjithashtu në të njëjtën fjali, Presidenti i referohet Mbretëreshës si “Shkëlqesia e saj”, kur në fakt duhet ti referohet si “Madhëria e saj”.
Ndoshta Presidenca duhet të investojë më tepër fonde për pajisjen me burime njerëzore, pra këshilltarë, për të evituar gafat.
Letra e plotë e Begajt:
“Madhëria Juaj
Me keqardhje të thellë ju drejtohem për humbjen e Mbretëreshës se dashur, Madhërisë së Saj Elisabeta II.
Në këto momente hidhërimi, në emrin tim personal dhe në emër të gjithë popullit shqiptar, shpreh ngushëllimet tona më të ndjera për Familjen Mbretërore, gjithë nënshtetasit e Madhërisë së saj në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbarë Komonuelthin.
Mbretëresha Elisabetë do të mbetet në histori dhe në kujtesën e të gjithë brezave, si personifikimi më shembullor i shtetarit të përkushtuar deri në çastet e fundit, ndaj vendit, detyrës dhe misionit, që historia i ngarkoi që në moshe të re.
Ajo mbretëroi me dinjitet të pakrahasueshëm, për plot 70 vite jo të lehta për Mbretërinë e Bashkuar dhe u përball me sfida të vështira, që nga shpërbërja e Perandorisë, te konfliktet e tejzgjatura me Irlandën e Veriut, Brexit, etj., por ia doli gjithmonë të ruajë paanshmërinë, të kultivojë marrëdhënie të shkëlqyera me udhëheqës të shumtë globalë dhe të kontribuojë për paqen dhe përparimin në vend dhe në mbarë botën, duke fituar në mënyrë të natyrshme admirimin e të gjithëve.
Në kohët moderne, kur sistemi monarkik dukej i tejkaluar, Shkëlqesia e Saj e sfidoi kohën gjatë gjithë mbretërimit të Saj, me urtësinë dhe fisnikërinë karakteristike, me vendosmërinë e përulur dhe përkushtimin e saj absolut ndaj unitetit të vendit, duke u bërë një figurë fort e dashur dhe e admiruar nga njerëzit në mbarë botën.
Sot, të gjithë ne jemi pranë jush me mendime dhe lutje për shpirtin e saj dhe trashëgiminë e rrallë, që Ajo i la Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, vendit të Saj dhe gjithë Njerëzimit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Saj”, thuhet në letër.
Diskutime rreth kësaj post