Disa nga bombardimet më të rënda të kryera deri tani në Alepo kanë bërë që zonat e qytetit të kontrolluara nga rebelët të mbeten pa mundësi mjekimi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se atje spitalet kanë dalë jashtë funksionit, pas 5 ditë bombardime nga ajri të forcave ruso-siriane.
Raportime të tjera sugjerojnë ndërkohë se spitalet janë operacionale, por banorët kanë shumë frikë që të shkojnë tek to. Persona të shumtë kanë humbur jetën që kur sulmet qeveritare rifilluan në Alepo më herët gjatë javës.
Këtë të shtunë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, deklaroi se të paktën 27 civilë ishin vrarë në këto sulme, që vunë në shënjestër zonat e kontrolluara nga rebelët.
Në të kaluarën mjekët kanë qenë në gjendje të ngrenë spitale të improvizuara, por mungesa e furnizimeve e ka vështirësuar situatën.
Bombardimet e fundit kanë bërë që rrugët e qytetit të Alepos të mbeten të shkreta, pasi banorët përpiqen të strehohen brenda çative të tyre.
Agjencia e lajmeve “Reuters” citon përfaqësuesen e OBSH-së në Siri, Elizabeth Hoff të thotë se OJQ-ja e ndodhur në kufirin me Turqinë konfirmoi se spitalet në lindje të Alepos janë jashtë shërbimit.
Diskutime rreth kësaj post