“PD dhe LSI, kryetari i të parës dhe kryetarja e së dytës, po bëjnë çmos që të delegjitimojnë kuvendin, të vrasin parlamentarizimin shqiptar në mënyrë që të tregojnë Shqipërinë parashtet të çmendur”.
Kështu është shprehur në një intervistë për “GSH”, akademiku i njohur Rexhep Qosja, i cili ka komentuar situatën e tanishme politike në vend.
Qosja gjithashtu është ndalur edhe te çështja e ish-ministrit të Brendshëm, duke dhënë argumentat e tij se pse nuk duhet paragjykuar deri në fund ish-ministri. Sipas tij Tahirit po i shkelen egër të drejtat e njeiut.
“Saimir Tahiri! Nuk jam prokuror publik; nuk jam as gjykatës. Saimir Tahiri, them, mund të jetë fajtor për çka akuzohet e mund të jetë i pafajshëm.
Unë respektoj një paragraf juridik pamatshëm të rëndësishëm për drejtësinë dhe për demokracinë dhe ky është paragrafi në Kushtetutën e SHBA-së në të cilin thuhet: çdo kush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij.
Saimir Tahirit, një njeriu politik inteligjent, të aftë, ndoshta më pak vigjilent se çdo të duhej në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, qe sa muaj, ndoshta gati qe një vit, po i shkelen egër, egër të drejtat e njeriut duke u shkelur njëkohësisht prej akuzuesve të tij ligje e Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Dhe, po i shkelen prej prijësve (liderëve) të opozitës, prej prijësve e bashkëpunëtorëve të tyre të – PD-së dhe LSI-së.
Kryetari i sotëm i PD-së dhe kryetari i përparshëm i PD-së, bashkëpunëtorët më të afërm të tyre në PD-në, kryetarja e sotme dhe kryetari i para disa muajve i LSI-së dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërm po e akuzojnë Saimir Tahirin jo si njerëz politikë, po si prokuror dhe si gjykatës, si gjykatës që e kanë sjellë verdiktin e fundit për Saimir Tahirin!
Fjalët e tyre, akuzat e tyre ndaj Saimir Tahirit, në pjesën më të madhe të rasteve të mbështetura në të dhëna të rrejshme, të trilluara, në të vërtetë përmbajnë gjithë urrejtjen e tyre ndaj qeverisë së Edi Ramës, në mënyrë të veçantë ndaj Edi Ramës, por të mbuluar me emrin Saimir Tahiri!
Rasti i Saimir Tahirit është rast, i shpikur a i ndodhur ende nuk dihet, me të cilin asnjë minutë nuk do të duhej të merrej njeriu politik, prijësi partiak a bashkëpunëtori i prijësit partiak.
Duke ia shkelur të drejtat më elementare njerëzore, duke e fyer, duke e përulur, duke e hequr zvarrë nëpër baltën e akuzave, që mund të dalin shpifje apo të vërteta vetëm gjykata do ta tregojë, këta njerëz politikë vetëm sa po tregojnë se sa larg prej nesh janë standardet dhe vlerat demokratike e juridike evropiane, dhe se sa gjatë do të jemi të prridhur prej primitivizmit ballkanik, në të vërtetë prej primitivizmit të urrejtësve tanë të ndryshëm!”, është shprehur Qosja.
Diskutime rreth kësaj post