Diferenca e çmimit të bukës në vendin më të shtrenjtë në botë (Singapor) me Tiranën është 2.28 dollarë/kg, por që s’mund të pohojmë të njëjtën gjë për nivelin e pagave mesatare…
Singapori mori titullin si qyteti më i shtrenjtë në botë, për të tretin vit radhazi, nga studimi i bërë i Njësisë së Inteligjencës i revistës prestigjioze The Economist (The Economist Intelligence Unit), i ndjekur nga Zyrihu dhe Hong Kongu. Ndërsa për shtrenjtimin e jetesës në New York, raporti tregon se vjen si pasojë e forcimit të dollarit, gjë që rriti çmimet e të mirave dhe shërbimeve.
Indeksi studion dhe merr në konsideratë koston e të mirave shtëpiake, veshjeve, ushqimit dhe transportit, por nuk përfshin koston e strehimit, element të cilin ekspertët e konsiderojnë të kushtueshëm dhe që mund të ndikojë në renditje.
Një ndër elementët që indeksi studion është edhe çmimi i bukës (merret në shqyrtim 1 kg bukë në USD). Po t’ referohemi tabelës së studimit, duke marrë në konsideratë qytetet më të shtrenjta në botë, një kg bukë kushton më shtrenjtë në Hong Kong, 12.44 dollarë/kg; ndërsa më pak në Singapor, me 3.40 dollar/kg, shifra të studiuara për këtë vit.
Krahasuar me të dhënat që Numbeo zotëron për Shqipërinë (e cila nuk përfshihet në këtë studim por që sipas studimit të fundit të Money.com, konsiderohej më e shtrenjta në Ballkan, lexo: 50 vendet më të lira për të jetuar në botë, Shqipëria e 28-ta, por më e shtrenjta në Ballkan), një kg. bukë në vendin tonë kushton 1.12 dollarë. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit, çmimet janë përkatësisht Beogradi (Serbia) 0.84 dollarë/kg; Shkupi (Maqedonia) 1.1 dollarë/kg; Podgorica (Mali i Zi) kushton 1.16 dollarë/kg.
Diferenca e çmimit të bukës në vendin më të shtrenjtë në botë (Singapor) me Tiranën është 2.28 dollarë/kg, por që s’mund të pohojmë të njëjtën gjë për nivelin e pagave mesatare apo të ardhurave të tjera.
Diskutime rreth kësaj post