Në një intervistë dhënë për Tema TV, gazetari Ilir Sinanaj ka komentuar zgjedhjen e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në analizën e tij, Sinanaj nënvizon se marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe popujve të tjerë të botës do të përmirësohen, duke zhbllokuar bashkëpunimin ekonomik.
Tema TV: Për të diskutuar mbi zgjedhjet Presidenciale në Amerike dhe fituesin e kësaj gare, për Presidentin e porsazgjedhur Donald Tramp kam kënaqësinë të kem të ftuar këtu në studion e televizionit “Tema” gazetarin Ilir Sinanaj. Cili është mendimi juaj për figurën e politikanit Donald Tramp?
Ilir Sinanaj: Donald Tramp është një figurë shumë interesante. Mbi të gjitha ai është një figurë e ardhur nga sipërmarrja. Po jo nga çdolloj ambienti, por po themi nga sipërmarrjet e Shteteve te Bashkuara, që është një ambient shumë konkurrues, një treg që kërkon energji, ide dhe duhet të jesh shumë i angazhuar. Donald Tramp ka treguar se ka qene i suksesshëm. Ka marrë shumë projekte nismëtare në qytetin e Nju Jorkut, ka ndërtuar ndër të tjera ringun e patinazhit në Parkun Qendror të Nju Jorkut. Ky ishte një projekt që po zgjaste me vite dhe po kushtonte shumë para. Më pas, ai e mori në dorë projektin. Dhe me një buxhet të kufizuar arriti të realizonte atë, që shumë veta nuk e kishin bërë. Pra është një person që ka shumë dëshirë.
Tema TV: Po Donald Trump si politikan, se duhet thënë se ai nuk ka mbajtur asnjëherë një post tjetër në Administratën Amerikane?
Unë mendoj, fakti që ai ka qenë i suksesshëm në sipërmarrjen amerikane , i jep atij aftësi të jashtëzakonshme menaxhuese. Kjo sepse ai e ka provuar në sipërmarrjet e tij; duke punësuar shumë njerëz ,duke marrë projekte qe i ka ndryshuar fytyrën, pejsazhin qytetit të Nju Jorkut. E gjithë kjo dije, kjo mënyrë e të vepruarit është një nga cilësitë më të mira, që ai po sjell në politikë. Ai nuk është thjesht një zyrtarë, që po përpiqet të ngrihet në karrierë. Ai këtë vizion, mendoj unë, do ta shndërrojë dhe në politikebërje si President i SHBA-ve. Kjo është ajo, që besoj unë, se kanë parë dhe njerëzit atje (në SHBA). Sepse amerikanët si të thuash janë përfaqësonjës të shpirtit sipërmarrës .
Tema TV: Një ndër pikat kryesore të programit të tij, të parashtruar edhe gjatë fushatës elektorale, ishte retorika e tij e ashpër ndaj emigrantëve dhe kosovarëve, por edhe pse jo edhe shtetasve me ngjyrë në Amerikë. Cili është mendimi juaj për programin e tij dhe a është kjo pikë e programit e rrezikshme?
Ilir Sinanaj: Fakti që Donald Trump ka ardhur nga sipërmarrja dhe ka qenë i suksesshëm, unë mendoj se ai do të jetë po aq i suksesshëm, e mbi të gjitha do të jetë racional dhe i arsyeshëm me mënyrën se si do ta zhvillojë programin. Nuk di të them me qartësi nëse ai ka thënë se është kundra kosovarëve; nuk besoj. Ai ka ngritur në thelb problemin e emigrantëve të paligjshëm. Kjo është shumë normale. Çështja e emigrantëve të paligjshëm është një problem i madh në të gjithë botën. Ata vijnë dhe futen në mënyrë të paligjshme në tregun e punës dhe kjo po krijon probleme. Sepse krijon një informalitet që e vuajnë pasojën edhe vetë shtetasit amerikanë. Në politikat e tij, ai i ka dhënë përparësi, siç duhet të bëjë çdo President, mirëqenies së vendit të tij. Ai këtë e ka shprehur shumë thjeshtë. Si sipërmarrës ai ka dhënë prova për këtë gjë. Dhe për këtë arsye, mendoj, që e mbështetën edhe qytetarët amerikanë duke e votuar. Ai gjithashtu ka thënë se do të ndërmarrë edhe projekte të shumta infrastrukturore me anë të të cilave do të hapen vende pune për qytetarët amerikanë. Gjithashtu do të investojë edhe në arsim. Kjo është shumë e rëndësishme; sepse sot që të jesh një vend i zhvilluar e të ecësh përpara është shumë e nevojshme të kesh arsimin dhe teknologjinë. Një gjë shumë interesante për Donald Trump është se ai ka thënë gjithmonë: “Unë jam Negociator!” Fakti se thotë se është negociator nuk do të thotë se ai është “armik”. Përkundrazi! Ai me anë të negocimit do që të zhbllokojë mënyrat e prodhimit dhe krijimit për të nxjerrë sa më shumë përfitime. Ne kemi parë një “demonizim” nga ana e medieve, që janë marrë shumë me anën personale të Trump, duke e goditur shumë; një koalicion mediatik, kombëtar në Amerikë dhe ndërkombëtar, që e kanë goditur. Por siç thotë një fjalë: “Pemës me kokrra i bien të gjithë me gurë”. Duke iu kthyer prapë konceptit, se ai është negociator, ai nuk sheh armiqësi, por ai e sheh boten, dhe ky është vërtetë koncepti amerikan, si një treg të përbashkët, në të cilin ai do të “bëjë biznes” me të gjitha vendet pa krijuar ndasi.
Tema TV: Si do të ndikojë programi i tij qeverisës, politika e tij, mënyra se si do ti drejtojë SHBA-të në botë, dhe më tej, edhe në Shqipëri?
Ilir Sinanaj: Pra ai fillimisht, politikën e vet e ka përqendruar për mirëqënien e amerikaneve. Ai thotë se: “Do ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore!”
Ajo që është shumë e rëndësishme: Ai është negociator, është biznesmen. Ai ecën duke qenë i arsyeshëm. Dhe ai ka qenë i suksesshëm në Amerikë, në një ambient që nuk të fal dhe ku realisht duhet të marrësh vendimet e duhura. Dhe unë mendoj se, duke qenë negociator, ai ka aftësinë dhe është i gatshëm të konkurrojë. Ai po kthen frymën e konkurrencës. Me të gjithë popujt e tjerë, unë mendoj se, politika që do të bëjë Amerika , me të gjithë “me pesha të ndryshme”, do të jetë një politikë, ku ekonomia botërore mund të ndërthuret bashkë, dhe do të ketë shkëmbime ndërnjerëzore. Kjo është ajo risi që do të sjellë Donald Trump.
Tema TV: Do të ndryshojnë sipas jush marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë, pas këtij momenti?
Ilir Sinanaj: Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh, sepse në SHBA ato janë politika shumëvjeçare. Por unë mendoj se ardhja e Donald Trump në pushtet është diçka e mirë dhe ne si Komb Shqiptar duhet të bashkëpunojmë sa më shumë me SHBA-të ,të përfitojmë nga teknologjia, dija e Amerikës dhe t’i ndërthurim këto. Gjithashtu doja të thosha se dhe, ne si Shqipëri, te kontribuojmë në ekonominë botërore me aftësitë tona si kapital njerëzor, si njerëz. Sepse edhe Donald Trump tha ne fjalimin e fushatës së tij: “Kryesoret jeni ju njerëzit!” Ai i vlerësoi, sepse amerikanët e thjeshtë të përditshmërisë, me shumë e punës së tyre jep edhe madhështinë e vetë Amerikës.
Diskutime rreth kësaj post