Nga Eugjen Merlika*
Dita e 7 majit është ajo e çlirimit të Francës nga ushtritë naziste. Këtë vit ajo përkoi me votimet për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit. Rreth 1800 gazetarë kishin mbërritur nga e gjithë bota në kryeqytetin francez, për të ndjekur përfundimin e garës zgjedhore ndërmjet Emmanuel Macronit dhe zonjës Marine le Pen, kryetare e Ballit Kombëtar francez. Interesi i përfundimit të këtij dyluftimi zgjedhor kishte përfshirë gjithë opinionin publik botëror, atë të drejtuesve të shteteve por edha atë të qytetarëve, veçanërisht t’atyre europianë.
Ishte në lojë, si asnjë herë tjetër, fati i Europës si bashkësi e organizuar Shtetesh të lira e demokratike, me një histori të njohur për rëndësinë e saj n’atë të mbarë njerëzimit. Para 12 vjetësh, një tjetër betejë për presidencën franceze, ndërmjet Jean-Marie le Pen, babai i Marinës dhe Jacques Chirac, përfundoi me një “rezultat tenistik”: 80% me 20%. Atëherë e gjithë Franca u mobilizua për të votuar kandidatin e djathtë në garë me atë ultra të djathtë. Nuk pati shemëri, finalja u kthye në një lojë me një portë. Por edhe ato votime patën të veçantën e tyre, madje një të papritur shumë të madhe: në garën e parë me të gjithë kandidatët kandidati i Ballit Kombëtar doli i dyti, duke lënë pas Partinë Socialiste e përfaqësuesin e saj, ish-kryeministrin Lionel Jospin.
Ishte tronditja e parë e madhe që merrte duopoli e djathtë–e majtë, që kishte qeverisur Francën për dhjetëvjeçarë. Kishte lindur një forcë e re politike, krejt e ndryshme nga ato të traditës së mbas luftës së Dytë botërore. Ajo erdhi duke fituar gjithnjë e më shumë përkrahës, jo vetëm nga të përmalluarit e së shkuarës, por edhe nga shtresat më në nevojë të shoqërisë, nga ata që ndienin mbi shpinën e tyre vështirësitë ekonomike të epokës paskoloniale e asaj të globalizimit të përgjithshëm. Kjo forcë që sot, e drejtuar nga kandidatja humbëse e balotazhit të 7 majit, e cila e “pensionoi” babanë e saj, me të cilin nuk ka më asnjë marrëdhënie, ka në programin e saj tërheqjen e Francës nga NATO dhe BE, një politikë autarkike të mbuluar me thirrje demagogjike kundër Europës së Bashkuar, për një kthim mbrapa në Francën e mbyllur në kufij e në marrëdhënie, me iluzionin e rremës se në këtë mënyrë problemet e francezëve do t’ishin lehtësisht të zgjidhshëm. Ajo është sot shtylla më e fuqishme e t’ashtuquajturit “populizëm”, një pseudodoktrine të re që iu jep përparësi shteteve të veçanta e që synon shpërbërjen e Bashkimit Europian. Si e tillë ajo ka përfaqësuesit e saj, pothuajse në të gjitha vendet europiane, ka përkrahës në botën globale n’ata sektorë të cilët janë t’interesuar për dobësimin e shkërmoqjen e Europës së bashkuar. Përkrahëse e fortë e kryetarëve të Moskës dhe Washingtonit, Marine le Pen, në kryesinë e republikës franceze, do të kishte qenë një faktor vendimtar dhe i mbrapshtë për vazhdimin e shpërbërjes s’Europës, mbas të famshmit Brexit, të shpënë me sukses në fund nga homologu i saj britanik, Nigel Farrage.
Ortekut lepenist, që rrezikonte të pushtonte Francën e të shkatërronte Europën, i vuri gjoksin një politikan i ri 39-vjeçar, z. Emmanuel Macron, ish-ministër i Ekonomisë në kabinetin e kryeministrit Manuel Valls, ish-këshilltar ekonomik i presidentit François Hollande, një nga mendjet eprore të brezit të tij, me studime të nivelit më të lartë. Kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit e me largpamësinë e intelektualit të shkëlqyer, me nuhatjen e hollë politike e njohjen e thellë të popullit e brezit të tij, u zotua të krijonte një lëvizje të re, të cilën e mbiquajti “En Marche!” – “Në ecje”. Askush, një vit më parë nuk i jepte asnjë mundësi fitimi kësaj force dhe arkitektit të saj. Për të kuptuar filozofinë politike të banorit të ardhshëm të Elizeut, po sjell këtu një fragment nga libri i tij i fundit “Revolucioni”:
“Disa mendojnë se Vendi ynë është në rënie, që më e keqja është përpara, që qytetërimi ynë është duke u shuar…. Të tjerë mendojnë se Franca mund të vazhdojë pak a shumë kështu, të zbresë po shpatin, por një shpat jo shumë të pjerrët. Që loja e ndërsjellësisë politike mjafton të na japë pak frymëmarrje. Un jam i bindur se gabojnë, se dështimi varet thjesht nga modelet e tyre, nga recetat e tyre. Ndërsa Vendi, në tërësinë e tij, nuk është aspak në dështim. Dhe ai e din. Turbullt, por ai e din, e ndjen. Që këtu ndarja e tanishme mes popullit e qeveritarëve të tij….”
Në ballë të programit të tij politik Macroni vuri Europën, si shtëpia e përbashkët e të gjithë europianëve, si një ndërtesë madhështore e projektuar dhe ndërtuar nga njerëz me shpirt të madh e mendje të ndritur, të cilët, mbi gërmadhat e kontinentit të tyre mbas 1945-s, u panë sy në sy e u betuan para Zotit, bashkëqytetarëve të tyre e brezave që nuk kishin lindur ende, se tragjedi si ajo e Luftës së Dytë Botërore nuk do të përsëriteshin më kurrë. Ai betim qe themeli mbi të cilin u ngrit Europa e re, një vepër titanike që pati për mision shmangien e dasive e kundërshtive shekullore, miqësimin e popujve që ndaheshin prej njëri-tjetrit nga tërësi interesash e krenarish kombëtare. Ky mision fisnik u sendërtua në saje të vullnetit të mirë të dy brezave europianësh e të largpamësisë së Etërve themelues.
Presidenti i ri i Francës e ndien veten krenar që merr në dorë, së bashku me të gjithë ata që besojnë sinqerisht në t’ardhmen e Evropës, stafetën e tyre, për të çuar përpara çështjen dhe misionin e saj, për të ecur me ritmet e duhura drejt synimeve gjithnjë e më të larta. Këtu qëndron e veçanta e këtij djaloshi shtetar, i cili guxon të ngrejë një ledh kundër të gjithë atyre të verbërve politikë, që nuk reshtin kurrë së sulmuari Bashkimin Europian, deri në paturpësinë e neveritshme të të krahasuarit me ish-Bashkimin Sovjetik. Largpamësia e Macronit qëndron në besimin e madh që ai vuri në popullin e tij e në shpirtin e tij europian, kur dihej se para më shumë se dhjetë vitesh ai popull kishte rrëzuar projektkushtetutën e Europës, duke ngadalësuar dukshëm ecjen e saj drejt bashkimit të plotë. Risia e mendimit të presidentit të ri qëndron në një fakt tjetër, n’atë të prirjes për të ndryshuar diçka në filozofinë e vazhdimësisë politike të çështjes europiane. Ai shpreh bindjen se doktrinat ideopolitike që lindën mbas Luftës së Dytë Botërore, të cilat shënuan ecjen demokratike të shoqërive perëndimore dhe epërsinë e sistemit të tyre kundrejt atij komunist të Europës Lindore, që krijuan partitë e qendrës së djathtë të orientimit katolik dhe rivalet e tyre të qendrës së majtë të drejtimit socialist, sot nuk janë më të mjaftueshme për të udhëhequr ecjen e Bashkësisë Europiane, e cila kërcënohet nga shpërbërja e saj, si pasojë e fitores së mundshme të ideve të mbylljes në vetvete e të kombëtarizmit të rremë e të ngushtë. Për pasojë ai krijoi një forcë tjetër të re, që huazon nga dy paraardhëset e saj veçoritë e tyre më pozitive, duke bërë një përmbledhje të ideve të tyre, të cilën e gatuan së bashku me shpirtin e tij reformues e konceptet liberale për ekonominë e cila, në saje të globalizmit, ka hyrë në një fazë krejt të re të zhvillimit.
Në festën e fitores së Macronit u valëvitën flamujt me shumë yje të Europës së bashkuar e u luajt Himni i Gëzimit, që nga viti 1985 është himni zyrtar i saj, që na kujton dy gjermanë të mëdhenj të dy shekujve më parë, Schiller dhe Beethoven, autorë përkatësisht të tekstit dhe muzikës. Macron përshëndeti ithtarët e tij të mbledhur para muzeut të Louvrit me këto fjalë, ndërmjet të tjerash: Kjo që kemi bërë në këta muaj nuk ka ndodhur kurrë, e nuk ka të ngjashme. Në këtë mbrëmje para Louvrit ju përfaqësoni zellin, entuziazmin, energjinë e popullit të Francës. Keni zgjedhur guximin e me atë guxim do të ecim…
Ecja e tij nuk do të jetë një fushë me lule, sepse kundërshtarët do të mundohen t’i futin shkopin në rrota. I filluan mbas 24 orësh komunistët, të parët protestat. Balli Kombëtar është gjithmonë në pritë, i gatshëm të mobilizojë taborët e tij të votuesve, por shumë francezë, të rinj e të moshuar, janë me të. Fuqia e tij e vërtetë zgjedhore do të duket mbas pak javësh, kur të kryhen votimet për parlamentin e Francës, por një gjë është e sigurt, ai gëzon përkrahjen e pjesës më cilësore të shoqërisë franceze. Të gjithë europianët që ëndërrojnë Shtetet e Bashkuara t’Europës, luten për fitoren e vijës së tij politike.
Mendoj se edhe ne, shqiptarët, t’etur për bashkimin tonë si komb e t’Europës si koncept gjithëpërfshirës, duhet të shohim te presidenti i ri i Francës një shpresë. Krahas kësaj shprese, vjen i vetvetishëm një urim e një lutje, për të parë në gjirin tonë një personalitet si Macroni, një njeri me të vërtetë të ri, jo në moshë, por në mendime. Politika e sklerotizuar shqiptare ka nevojë të domosdoshme për një figurë të ngjashme, që të verë në lëvizje të vërtetë kombin drejt synimesh realiste e reale, që të grumbullojë rreth vetes forcat më të shëndosha e më cilësore të shoqërisë, të cilat sot ndrydhen nga monopoli i pushtetit e nga varfëria ideore e kundër pushtetit. Na nevojitet një njeri me nivelin intelektual epror, që të hapë shtigjet e një epoke tjetër, asaj të meritës, aftësisë e vlerave. Ajo epokë duhet të nxjerrë në pension të parakohshëm një mori t’ashtuquajturish politikanë të karrierës, njerëz të improvizuar e të projektuar nga sistemi i vjetër komunist, njerëz që nuk kanë asnjë meritë të veçantë intelektuale për të prirë një popull me një mijë probleme, veç asaj të pasurimit të paligjshëm në kurriz t’atij populli.
Macroni iu premtoi bashkatdhetarëve të tij se do t’u thotë gjithmonë të vërtetën, edhe atëherë kur ajo është e pakëndshme, madje e hidhur. Sa shumë kemi nevojë edhe ne të na thonë të vërtetën qeveritarët e politikanët, sepse jemi të tejngopur nga gënjeshtrat e mashtrimet e të gjitha formave e të gjitha ngjyrave. Dëshirojmë të dëgjojmë të vërtetën për ekonominë e perspektivat e saj, për pasuritë përrallore të disave e varfërinë migjeniane të shumë të tjerëve, për pronat e vjetra që nuk kthehen e pronat e reja që mbijnë si kërpudhat, për kanabizimin e Vendit dhe alternativat e daljes nga ajo gjendje traumatike, për kriminelë të zakonshëm që bëhen papritmas të pasur e me pozita të larta në shtetin e “reformuar”, për pafundësinë e “legalizimeve” të paligjshmërisë, për shqiptarët që ikin e për ata që nuk munden të largohen, për miliardat e eurove që premtohen si investime, ndërsa dëmshpërblimet për punën e papaguar të burgjeve komuniste paguhen me pikatore, për faktin shumë të trishtueshëm se në këtë Vend, ndryshe nga shumë Vende të tjera ish-komuniste, asnjë politikan nuk gjykohet as kur vret, as kur grabit, as kur korrupton apo kur korruptohet…
Duke i uruar sukses e punë të mbarë Macronit francez në të mirë t’Europës, përkëdhelim shpresën që të shohim një ditë, jo shumë të largët, një Macron shqiptar, që të ngrihet mbi kënetën e pështirë të politikës sonë e të na bëjë edhe ne të shohim në sheshet tona flamujt e Europës së bashkuar përkrah shkabës së Skënderbeut dhe të dëgjojmë Himnin e Gëzimit, të një gëzimi të vërtetë mbas gati një shekulli mundi e sfilitjeje.
*publicist
Diskutime rreth kësaj post