Tregu i sigurimeve në shtator të këtij viti u llogarit në 10.7 miliardë lekë ose rreth 7.2% më shumë se e njëjtja periudhë e një viti më parë. Një performancë që pritjet të ishte pozitive, për shkak të rritje që pësuan tarifat TPL në fund të muajit gusht të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare çmimi mesatar i TPL-ve në shtator u llogarit në rreth 20,000 lekë ose rreth 16% më shumë se janar – shtatori 2015.
Kjo rritje i ‘kushtoi’ shoqërive që operojnë në tregun e Jo- Jetës, pasi në fillim të muajit tetor AMF shqiptoi sanksione, që llogariteshin në rreth një milionë lekë.
Po për këtë sjellje, këto shoqëri janë vënë nën hetim të thelluar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës dhe pritet vendimi që do të merret nga ana e tyre.
Duke iu referuar statistikave të AMF-së tregu vazhdoi të mbetej sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.49% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.18% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38.21% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 61.79% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar – shtator 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,974 milionë lekë, ose 27.82% më shumë se periudhën janar – shtator 2015.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar – shtator 2016 arritën rreth 6,647 milionë lekë, ose 8.93% më shumë se në periudhën janar – shtator 2015.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – shtator 2016, pati një rritje prej 6.63% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 4.59% krahasuar me periudhën janar – shtator 2015.
Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar – shtator 2016 pati një rritje prej 23.33% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 26.26% krahasuar me periudhën janar – shtator 2015.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar – shtator 2016, pati një rritje me 13.53% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – shtator 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 17.09%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar – shtator 2016 arritën mbi 4,110 milionë lekë, ose 3.99% më shumë se në periudhën janar – shtator 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 10.43% krahasuar me periudhën janar – shtator 2015.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës në periudhën janar – shtator 2016, patën rritje me 5.47% kundrejt periudhës janar – shtator 2015.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë periudhës janar – shtator 2016 siguruan mbi 1,898 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 73.70%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 17.94% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – shtator 2016, vihet re një ulje prej 9.79% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 16.23% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shtator 2015.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – shtator 2016, arritën në rreth 911 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 0.73% në krahasim me periudhën janar – shtator 2015.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shtator 2016, arritën rreth 667 milionë lekë, ose 3.02% më pak se në periudhën janar – shtator 2015.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – shtator 2016 u rritën me 27.82% krahasuar me periudhën janar – shtator 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,938 milionë lekë, apo 65.18% të totalit të dëmeve të paguara bruto./Monitor/
Diskutime rreth kësaj post