Personat, të cilët tentojnë të ndërpresin duhanin, kanë tri herë më shumë shanse për ta arritur këtë nëse hanë sasi më të madhe të pemëve dhe perimeve pohojnë shkencëtarët amerikanë nga Universiteti Buffalo.
Hulumtimi i cili është publikuar në revistën Nicotine and Tobacco Research, zbulon që pemët dhe perimet reduktojnë dëshirën dhe nevojën për duhan. Shkencëtarët kanë përcjellë shprehitë e 1.000 duhanpirësve në moshën prej 25 vjeç e më të moshuar. Sa më shumë që pjesëmarrësi kanë ngrenë pemë dhe perime, e kanë pasur më lehtë të ndërpresin duhanin.
“Hulumtimet e mëhershme na kanë treguar që ish-duhanpirësit konsumojnë sasi shumë më të madhe të pemëve dhe perimeve, por të kuptuarit që pemët dhe perimet na reduktojnë dëshirën për duhan na ka befasuar me të vërtetë”, ka deklaruar udhëheqësi i hulumtimit, prof. Gary Giovino.
Shkencëtarët kanë konstatuar që personat të cilët hanë më shumë pemë dhe perime pinë numër më të vogël cigareve në ditë dhe mund të durojnë më gjatë deri te duhani i parë i mëngjesit, ndërsa varësia e tyre nga nikotina po ashtu ka qenë e intensitetit më të ulët.
Pjesëmarrësit kanë deklaruar që pemët dhe perimet lënë shije në gojë pas të cilës nevoja për duhan bëhet më e vogël, ndërsa edhe vetë duhani nuk paraqet kënaqësi aq të madhe kur pihet pas konsumimit të pemëve dhe perimeve sepse atëherë shija e duhanit është në mënyrë të konsiderueshme më e keqe, transmeton Koha.net.
“Gjithsesi duhet të vazhdojmë me hulumtimin sepse besojmë që jemi në rrugë të mirë për zbulimin e një prej mënyrave më të suksesshme dhe më të shëndetshme të ndaljes së duhanit”, ka shtuar prof. Giovino.
Duhanpirësit shpesh ndjenjën e urisë e ndërrojnë me nevojën për duhan, prandaj në shenjën e parë të urisë në vend të ushqimit, do të turren drejt cigares.
Pemët dh perimet do të përmbushin nevojën e urisë, reduktojnë dëshirën për cigare dhe nuk do të rrisin rrezikun e trashjes, e cila shfaqet shpesh tek ndërprerja e duhanit.
Numër i madh i duhanpirësve dëshirojnë të ndërpresin duhanin, por nuk dinë se si të fillojnë. Sipas këtij hulumtimi, hapi i parë është që në vend të kutisë së cigareve të blini pemë dhe perime. /Telegrafi/
Diskutime rreth kësaj post