Nga Valerja Dedaj
Takimin e parë me Dritëro Agollin ajo e kujton ende dhe sot. Ishte mësuese edhe nuk i kishte dalë ende e drejta e studimit, kur i ra në duar vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964) i Agollit. E gjeti në një barakë të vogël ku shiteshin libra. Vetëm atje nuk kishte mbërritur akoma urdhri i pezullimit të këtij libri nga qarkullimi. Kështu e përshkruan shkrimtarja dhe poetja, Natasha Lako, këtë gëzim tronditës, që e gjeti midis zhurmave të gjelbërimit. Ndërsa, më vonë, Lako do ta takonte Agollin edhe nga afër, sepse do ta kishte pedagog të Stilistikës në degën e Gazetarisë. Kujtimet, që ruan me të janë të shumta, por prej tyre veçon mbrojtjen që i bënë Koço Kostës, Dritëro Agolli, Ismal Kadare dhe Dhimitër Shuteriqi, kur të tjerët këmbëngulnin se duhet që të hynte në burg. Kur, kapërceheshin caqet këto mendje, tregon Lako, bëheshin bashkë. Lako e krahason krijimtarinë e Agollit me atë të shkrimtarëve të njohur të letërsisë franceze, që vinin nga rrethanat e Luftës së Dytë Botërore.
Letërsia e Dritëro Agollit, sipas saj, do të mbetet gjithmonë pranë njeriut. Përsa, i përket qëndrimit të Agollit, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ajo mendon se ai u bë kryetar në një kohë shumë delikate. Madje, gjatë asaj periudhe edhe ajo vetë ishte në listën e njerëzve, që nuk duhet të gabonte në krijimtari. Ndërsa, për krijimin e Partisë Socialiste shprehet se, në sajë të Dritëro Agollit shpëtoi një parti e tërë, ajo e Partisë Socialiste në vitin ‘92. “Kjo vërtetonte se në atë periudhë se Shqipëria dhe letërsia ishin ende një”. Natasha Lako edhe pse ka qenë deputete e Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar, ajo nuk e ka konsideruar veten asnjëherë politikane. Nga ajo periudhë na rrëfen se përherë ulej në rreshtat e fundit, por tensionet e mëdha dhe gjendjen e acaruar jashtë Parlamentit gjatë atyre viteve nuk i ka harruar as sot. “Ishin të gjithë shokët e Dritëro Agollit, shumica kryetarë kooperativash që vinin në Kuvend të armatosur. Më vonë duhet të kenë marrë armë edhe pala tjetër. Kjo është ndoshta është arsyeja që unë nuk kisha më vend atje”. Por, në sallë të Parlamentit gjendej edhe një kokë aq paqësore, si ajo e Dritëro Agollit, që Lako e vëzhgonte nga rreshtat e fundit. Nuk e harron as sot se si jashtë të gjitha rregullave të grupeve parlamentare propozoi, që Dritëro Agolli të bëhej kryetar Kuvendi.
Zonja Lako, si dhe kur e keni njohur shkrimtarin dhe poetin Dritëro Agollin?
Nga pranë e kam njohur më tepër gjatë kohës që e kisha pedagog të Stilistikës në degën e Gazetarisë. Por, kujtoj se kisha gjetur vëllimin e tij me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, në një barakë të vogël ku shiteshin libra, kur isha mësuese dhe nuk më kishte dalë e drejta e studimit. Atje ku nuk kishte mbërritur ende urdhri i pezullimit të tij nga qarkullimi. Ka qenë një gëzim tronditës, që e gjeta midis zhurmave të gjelbërimit. M’u duk shumë domethënës ky takim me këtë libër, që duhet ta blija aq larg. Kështu unë mendoja se kisha krijuar një kod shumë personal me gjithçka, që thoshte dhe mendonte profesori im, që harronte të vinte në leksion, por që sillej me të gjithë studentët, si shokë. Leksioni i tij për kompozicionin, si diçka që prish të gjithë godinën artistike, ishte i mrekullueshëm. Ishte koha kur ishte vendosur që edhe veprat më të mëdha të letërsisë botërore të botoheshin me shkurtime, sipas parimit, të marrin tre të mirat dhe të lëmë dy të këqijat që sot është harruar. Unë u ngrita dhe e pyeta për këtë! Ishte koha që po botoja librin tim të parë, ku redaktor ishte Ismail Kadareja. Dukej sikur po frynte një erë e mbarë! Por, në Korçë njerëzit frikësoheshin edhe nga kjo, sepse shumë prej tyre besonin se gjithçka bëhej enkas që të dalloheshin më lehtë njerëzit që ngrinin kokën. Dritëro Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, në një kohë shumë delikate.
A ruani në kujtimet tuaja, nga Agolli, diçka që është e panjohur për publikun?
Janë të shumta kujtimet me të… Disa duhet t’i thotë vetë Sadija, që njerëzit të kuptojnë sa të avancuar ishin si çift, sepse edhe kjo është gjë e madhe për Shqipërinë. E kam fjalën për një fotografi të Sadijes, të bërë nga një fotograf me emrin Pleurat, që më vonë u dënua për foto jo të etikës socialiste. Unë do të veçoj edhe mbrojtjen e shkëlqyer, që i bënë Koço Kostës, së bashku Dritëroi Agolli, Ismail Kadareja dhe Dhimitër Shuteriqi, kur të tjerë këmbëngulnin të hynte në burg. Fjalë e tmerrshme kjo, por ja që përdorej herë pas here si kërcënim për të gjithë shkrimtarët. Kur dukej se ishin të mundshme të kapërceheshin gjithë caqet, këto mendje të hapura ishin gjithmonë bashkë. Unë vetë nuk e kam jetuar kohën e largët të kontradiktave midis të rinjve të dikurshëm dhe të vjetërve edhe më të dikurshëm.
Cili është vlerësimi juaj për të, si shkrimtar? Ç’mund të thoni për stilin që ai përdorte, për faktin e të qenit i drejtpërdrejtë në atë që komunikonte?
Krijimtaria e Dritëro Agollit është e njëjtë më atë të shumë shkrimtarëve të njohur të letërsisë franceze, që vinin nga rrethanat e Luftës së Dytë Botërore. Ai i kuptonte mirë edhe shkrimtarët e majtë edhe të djathtë francezë. Fransua Nurise, ishte një shkrimtar i djathë. Merreni me mend që këtë hapur në sallën e Lidhjes së Shkrimtareve kjo ishte një krim, jo më një sakrilegj. Ky shkrimtar e ka çmuar shumë romanin “Njeriu me top”. Sot ne e kuptojmë se misioni i shkrimtarit duhet mitizuar dhe në kohën tonë është shumë e vështirë të ketë ideale. Kjo ndodh sa më shumë që letërsia të jetë pranë njeriut. Shihni sot sa pranë njeriut është letërsia japoneze, madje ajo e Nobelit. Dritëro Agolli do të mbetet gjithmonë në racën e shkrimtarëve të tillë. Për këtë ai ishte i ndërgjegjshëm. Gjithnjë, vepra e Agollit, veçanërisht në prozë ka pasur një mprehtësi të ëmbël.
A ka një poezi të tijën që do ta veçonit mbi të tjerat? Po në prozë?
Unë do të veçoj përsëri, si Nurise, romanin “Njeriu me top”, sepse njerëzit i rrëmbyen armët edhe më ’97-ën. Ky roman zbulon një konstitucion të thellë. Sa për poezinë meriton një shkrim të veçantë.
Si i mbani mend qëndrimet e tij politike dhe marrëdhëniet me njerëzit në kohën e Partisë së Punës?
Unë nuk kam qenë anëtare partie që të di më tepër. Ruaj vetëm kujtimet personale. Kam ende shënimet e disa poezive të pabotuara, që i kisha dërguar në revistën “Nëntori” dhe ia kishin raportuar nuk e di se kujt, ndoshta atij vetë që atëherë ishte ndoshta ende sekretar i Lidhjes. Duhej të më bënte një vërejtje formale. Dhe unë isha në listën e njerëzve, që nuk dija të mos gaboja.
Si ndryshuan ato në vitet ’90, me themelimin e Partisë Socialiste?
Në fillim të viteve 90 ne u gjendem në dy pozicionime të ndryshme. Për mendimin tim në sajë të Dritëro Agollit ka shpëtuar një parti të tërë…, për mua të paktën 5-10 për qind më tepër i ka pasur njëherë Partisë së Punës Shqiptare, dhe pastaj në vitin në vitin ’91, dhe pastaj Partinë Socialiste në vitin ‘92 nga Dritëro Agolli. Kjo vërtetonte se në atë periudhë Shqipëria dhe letërsia ishin ende një.
Ka pasur zëra me tone kritikë edhe akuzues, që Agolli ka qenë dashje pa dashje i përfshirë në krimet e komunizmit dhe nuk i meriton nderimet që i janë bërë edhe po i bëhen aktualisht. Si do ti përgjigjeshit ju kësaj?
Dritëroi vetë mund të thoshte se, s’kanë ç’ti bëjnë qullit dhe i fryjnë kosit.
Ju vetë keni qenë politikane, Agolli po ashtu, përse politikës shqiptare, i mungojnë sot intelektualë si ju apo i ndjeri?
Asnjëherë politikane. Që në ditën e parë, kur zgjidhej kryetar i Kuvendit, Kastriot Islamit ish-ministër Arsimi në kohën e grevës së urisë së studentëve. Mbaj mend se unë isha ulur andej nga rreshtat e fundit, ku më ka pëlqyer të qëndroj gjithmonë që në klasën e parë, se ke mundë- si të bësh edhe ca turbullira atje prapa. Tensionet ishin shumë të mëdha, gjendja ishte shumë e acaruar jashtë parlamentit, ku njerëzit gati si sot e pandehnin edhe me armik deri në konfrontime të mundshme njëri-tjetrin. Të gjithë shokët e Dritëro Agollit, shumica kryetarë kooperativash vinin në Kuvend të armatosur. Njerëzit nuk duhet t’i fshijnë fare nga kujtesa këto. T’i shihje se si i dorëzonin pastaj njëri pas tjetrit, para se të hynin në sallë. Më vonë duhet të kenë marrë armë edhe pala tjetër, dhe kjo është ndoshta arsyeja që unë nuk kisha atje më vend. Por, brenda në sallë kishte një kokë aq paqësore, si e Dritëro Agollit, që unë e shihja nga prapa. Më dukej aq e dashur në ato momente ajo kokë në formë dardhe, e të gjithë shqiptarëve. E mbaj mend se si u kthye të më shohë i çuditur Sali Berisha, kur u ngrita dhe propozova për të bërë kryetar Kuvendi Dritëro Agollin jashtë të gjithë rregullave të grupeve parlamentare. Mirëpo, në atë çast unë deklarova paqe. Kjo ka mbetur një nga ditët e mia më të mira të jetës. Mbaj mend se atë ditë kur kthehesha në shtëpi, me dhjetëra njerëz më kanë ndalur dhe më kanë përqafuar në rrugë. Sot shumë gjëra janë ndryshe, pushteti dhe Shqipëria në fakt po bëhen një.
Dritëro Agollin intelekti e bëri që të rezistojë në një nga vendet më militariste të botës, si ishte Shqipëria deri në vitet ‘90. Shpresa më e madhe e Shqiptarëve në atë periudhë rrëfen Lako ishte, që Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare të mbeteshin bashkë gjithnjë. Nëse një ditë do të duhet që ajo t’u rrëfejë brezave që do të vinë për Agollin, do t’ua përshkruante, të shpupuritur…, si në pamje dhe në veprën e tij.
Çfarë e bënte të ndryshëm nga shkrimtarët e tjerë?
Dritëro Agolli e njihte popullin e tij shumë mirë, prandaj edhe u bë përfaqësues i filozofisë së tij. Intelekti i e bëri të rezistojë në një nga vendet më militariste të botës, si ishte Shqipëria deri në vitet ‘90. Në atë kohë shpresa jonë më e madhe ishte, që Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare të mbeteshin gjithnjë bashkë.
Përse mendoni ju Agolli arriti, që të jetë poeti i të gjithëve?
Më duhet të kujtoj me këtë rast, poemën “Devoll, Devoll”, të njeriut që mbeti i pandarë nga toka dhe balta e saj gjithë jetën. Ishte si të thuash njeriu nga poshtë, Sadija e mban mend ndoshta se sa bukur i tregoi ai shtysat për lindjen e kësaj poeme, kur udhë- tonim njëherë së bashku për në Berlinin, ku nuk kishte kohë që kishte rënë muri i Berlinit. Ishte koha që si tha vetë ai i çmonte shumë borgjezët e fundit të mbetur në shtëpinë botuese, që punonin si përkthyes. Por, ai ishte i vetëdijshëm se kishte vetëm baltën e Devollit. Dritëro Agolli ndoqi rrugën e Naimit! Duhet të shkruash dhjetëra faqe që të shpjegosh sot përse vjershat e Naimit, duket sikur kanë krijuar Shqipërinë. Shqipëria dhe letërsia ishte një diskutim i madh për Dritëro Agollin, ku ne kuptoheshim jashtëzakonisht. Nuk do të harroj kurrë se si më përshëndeti njëherë vitet e fundit nëpërmjet Sadijes për një temë të tillë, mjaft debatuese të një shkrimi tim. Dhe më vjen keq se shumica e atyre, që i dhanë përshëndetjen e fundit, as arrijnë ta kuptojnë ende që Shqipëria dhe letërsia është vetëm një. Në qoftë se Dritëroi e ndjeu veten si një pelegrin të vonuar, të tillë janë të gjithë shqiptarët.
Përse një lexues i mirë shqiptar, nuk duhet ta anashkalojë Agollin?
Sepse, me Agollin Shqipëria përfundon një epokë të tërë naimjane të filluar para viteve 1900. Gjithnjë ka njerëz që shërbejnë si kufij mes pjekurive të pafundme. Dhe kjo e bën kolos në jetën shqiptare, jo vetëm sa për t’i komentuar disa poezi, një pas një, si të një njeriu të veçantë.
Dhe së fundmi, brezat që do të vijnë, si do t’jua tregoje, se kush ishte Dritëro Agolli?
Të shpupuritur… Si në pamje, si në veprën e tij. Ne vijmë nga të njëjtat treva. Njeri ka lindur në një anë e Moravës, tjetri në anën tjetër. Kjo është ndoshta arsyeja që Dritëroi kohët e fundit më fliste gjithnjë për gjyshen e tij, që ishte nga qyteza. Po herën e fundit kur i kam shkuar në shtëpi, nuk i kam mbajtur lotët. Më emocionuan shumë poezitë e tij të fundit të dashurisë kushtuar Sadijes. Thomas Eliot ka vetëm një poezi që ia ka kushtuar gruas.
Diskutime rreth kësaj post