Nga Ylli Pata
Ardhja deri tek vendimi i Parlamentit në lidhje me kërkesën për të arrestuar Saimir Tahirin, nuk ka nisur që nga ajo shkresë që mbërriti në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë më datë 19 tetor; aty ishte vetëm epilogu juridik. Produkti politik duket se është gatuar me kohë.
Fletë-arresti për Saimir Tahirin duket se është përgatitur herët nga ana e Prokurorisë, që kur kryetar i Kuvendit ishte Ilir Meta, i cili e akuzoi ministrin e Brendshëm se ka përgjuar atë dhe disa zyrtarë të tjerë me të ashtuquajturën aparaturë italiane. Por vendimi u pezullua pasi në axhendë u ngrit çadra dhe tentimi për të rrëzuar qeverinë.
Megjithatë gjithçka nisi nga e para pas zgjedhjeve, ku Lulzim Basha e fokusoi të gjithë politikën pas humbjes së 25 qershorit, pikërisht tek denoncimi i asaj që e quajtur “kaplimi i qeverisjes nga krimi”.
Ndodh prej kohësh që Lulzim Basha paralajmëron hapjen e dosjeve të mëdha përvëluese. Por nga ana tjetër edhe mazhoranca ka bërë të njëjtën gjë.
Ndryshimi është se opozita i është referuar njerëzve aktualë të drejtësisë, ndërsa mazhoranca ka bërë të ditur se gjithçka do të nisë pas vettingut.
Gjithçka vazhdoi me deklarata deri në natën e 16 tetorit, kur Prokuroria Antimafia e Catania-s, dërgoi në gjykatë pas arrestimit, bandën e trafikimit të drogës së Moisi Habilajt.
Mirëpo pa u vulosur ende nga gjykata e Catania-s, lajmërohet nga Sokol Balla mbërritja e dosjes së Habilajve tashmë të famshëm që nga opozita ishin akuzuar si njerëz të Saimir Tahirit.
Të nesërmen, pra më 17 tetor, Lulzim Basha, i kërkoi publikisht Prokurorisë së Përgjithshme, alias Kryeprokurorit Adriatik Llalla, të arrestojë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Basha tha se një dosje përvëluese është prej ditësh në zyrën e Edi Ramës. Pra që konfirmoi që edhe ai por edhe Rama e kishin një fashikull.
Të martën paradite në të gjitha mediat e Tiranës dhe portalet e shumta publikohet pjesë e përgjimeve të Guardia Di Financa, ku Moisi Habilaj fliste për takimin me “Saimirin” (në asnjë rast me mbiemër, një detaj aspak i komentuar ky, apo qoftë dhe i shoqëruar nga statusi zyrtar si ministër). Ky emër përmendej për dhënie 30 mijë eurosh, transportim të kanabisit me kamiona, dhurata për nusen, mamanë e të tjera.
Atë natë, Adriatik Llalla thërret në Prokurorinë e Përgjithshme krerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Tiranës dhe ata të Fierit, e cila kishte hetuar më dosjen Habilaj, e që madje kishin vendosur dhe mbylljen e hetimeve për Saimir Tahirin dy vjet më parë.
Pa thënë asgjë, pikërisht të martën mbrëma, Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi si të hetuar zyrtarisht,pra hapi një dosje penale ndaj Saimir Tahirit. Por më tej nuk dihej asgjë se si do veprontë organi i akuzës.
Pas kërkesës së Bashës për arrestim, brenda një deklarate me nota të theksuara politike, në sallonet politike dhe ato mediatike të Tiranës u fol se prokuroria do kërkonte prangosjen në flagrancë për Saimir Tahirin. Përmendja e emrit të ngjashëm në dosje kishte tronditu opinionin publik, por edhe mazhorancën.
Edi Rama shkroi se kërkon “vetëm të vërtetën për Saimir Tahirin dhe nuk e mbështeste më”.
Sakaq, dosja e gjykatës italiane ende nuk kishte mbërritur zyrtarisht në Tiranë.
Të enjten ishte pushim zyrtar, si dita që Papa vendosi të “lumturojë” Nënë Terezën. Ama jo për kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hadarmataj, i cili i dërgoi shkresë Kuvendit ku kërkonte lejen për të arrestuar Saimir Tahirit dhe për t’i kontrolluar banesën.
Lulzim Basha urdhëron deputetët e tij në Komisionin e Mandateve të mësynin zyrat e Kuvendit.
Eduard Halimi dhe Enkelejd Alibejat kërkojnë mbledhjen urgjente të këtij komisioni
Ishte kohë presioni dhe kërkohej të miratohej me urgjencë shkresa e Prokurorisë.
Gramoz Ruçi nuk ngutet dhe del në konferencë shtypi në orën 18.00 ku shpall se mbledhja e komisionit do të zhvillohet të premten në mëngjes.
Në Tiranë u hap lajmi se do të arrestohet Tahiri të enjten, duke mos i dhënë mundësinë të flasë tek Opinion-i i Blendi Fevziut, pasi mendonin se do të hapë lojën dhe shantazhonte palët.
I dehur nga suksesi i përkohshëm publik, Lulzim Basha nuk u mjaftua, por blodhi të gjithë opozitën, që nga Kryemadhi i LSI-së e deri tek Koço Kokëdhima, madje dhe shpalli aksionin për largimin e qeverisë së Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie “antimafia”.
Pra, gjithçka më shumë se Tahiri, para drejtësisë u përkthye me “Edi Rama jashtë qeverisë”.
Në shtëpinë e Tahirit mblidhen shumë njerëz. Ish-ministri flet vetëm një fjalë për mediat: “Nuk keni parë gjë akoma”.
Në darkë, përpara Blendi Fevziut, Saimir Tahiri deklaron qartë se “nuk është takuar kurrë me Habilajt dhe për këtë mund të flasë me përgjegjësi”. Sytë i kishte gjatë gjithë kohën të përlotur dhe nuk e fshihet aspak ankthin e një prangosjeje të mundshme. Ish-ministri nuk e shpjegon mirë dosjen, por thotë që në përgjime nuk flitet për të.
Situata nis të ndryshojë, nga difensive për ish-ministrin në offnsive, ku përmend Ilir Metën dhe Sali Berishën si njerëz që e kanë hartuar të gjithë lojën duke përdorur njerëzit e tyre në Prokurori.
Të premten në mëngjes, nisi edhe përballja më e fortë dhe rasti i jetës i Adriatik Llallës për të treguar se ai është në krah të ligjit pa anshmëri politike.
Megjithatë, në prezantimin zyrtar situata çalon. Ai dërgon tre prokurorë që ishin “rastësisht” nga e njëjta zonë, Tropoja, dhe media pranë qeverisë i paragjykon duke deklaruar se kanë lidhje me familjen dhe lobet e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kur nis mbledhja, deputetët e PS-së i pyesin prokurorët se kur e kanë regjistruar Saimir Tahirin si të hetuar dhe çfarë provash kanë.
Prokurorët japin datën, që nuk është as 48 orë nga mbledhja e komisionit. Diçka lëviz. Më pas e pyesin për provat dhe Prokurori Hajdarmataj thekson se janë sekret dhe kërkon seancë me dyer të mbyllura.
Deputetët e opozitës i kërkojnë Gramoz Ruçit që të mos bëhen pyetje ndaj prokurorëve, po në fakt atë ditë pati jo vetëm pyetje por dhe një duel real, që u duk më shumë politik, PS kundër prokurorisë dhe kjo e fundit kundër PS-së.
Zhvillohet mbledhja me dyer të mbyllura dhe sërish nuk del ndonjë provë. Gjithçka lidhet me materialin 400 faqesh të Prokurorisë së Catania-s.
Këtu Saimir Tahiri kalon në kundërsulm duke e pyetur për identitetin e Saimirit që përmendet në përgjime.
Aty flitet për një person që ka emrin e ish-ministrit, por që merret me transportimin e drogës me kamion.
Ndërsa “il grande capo” mbetet mister se kush është/
Situata nis të lehtësohet pak për Tahirin, sa edhe kryeministri Edi Rama që e kishte “lëshuar” ish-vartësin e tij shkroi që “me aq sa pamë e aq sa dëgjuam, gjithçka ishte llafe pazari”.
Opozita e akuzoi menjëherë për përkrahje të Tahirit, por Kryeministri u përgjigj në fillim të javës duke thënë se “nuk bëhem më avokat i Saimir Tahirit” dhe e përjashtoi nga të gjitha funksionet politike në PS.
Mazhoranca tha do të miratojë kontrollin e banesës dhe atë personal por jo arrestimin e Tahirit.
E gjithë kjo zallamahi ishte edhe vulgu i zhvillimeve politike përpara vendimit të sotëm të Kuvendit.
Dhe a pikëpyetja më e madhe që shtrohen pas gjithë këtyre zhvillimeve është: a do të kishte kërkuar Prokuroria arrestim, apo do të mjaftohej vetëm me hetim e kontroll, nëse Lulzim Basha nuk do të kërkonte arrestimin e Tahirit? Fakt është se fjalët e para të Bashës sapo u publikua dosja (kërkesa për arrestim), shkuan në vesh të….jo Perëndisë por Prokurorisë që të nesërmen.
Diskutime rreth kësaj post