Gati në të gjitha deklaratat e fundit për shtyp të Delegacionit të BE-së në Tiranë shkruhet se: “93 përqind e qytetarëve shqiptarë” mbështesin integrimin në BE. Kjo shifër ka dalë nga sondazhi i opinionit publik i Komisionit Evropian, Eurobarometri. Në këtë sondazh të opinionit publik janë intervistuar një mijë qytetarë shqiptarë. Ato janë pyetur:
“Duke folur në mënyrë të përgjithshme, a mendoni ju se integrimi i vendit në BE është diçka: E mirë / E keqe/ Nuk e di?”
Sipas gjetjeve të sndazhit, 93 përqind e të intervistuarave janë përgjigjur se “duke folur në mënyrë të përgjithshme, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte diçka e mirë”, shkruan Exit.al. Kjo do të thotë se bazuar në sondazhin e besueshëm, nga 2,93 milionë shqiptarë, 93 përqind e tyre plus/minus 2 përqind pajtohen me këtë gjetje. Deri këtu jemi në rregull.
Por, ka një diferencë të madhe ndërmjet matjes dhe përdorimit. Dhe mënyra në të cilën Delegacioni i BE-së në Tiranë po përdor gjetjet sondazhit nuk respekton aspak termin e përdorur në pyetësor “duke folur në përgjithësi”.
Për shembull, në deklaratën e fundit për denoncimin e vendimit të opozitës për të lënë mandatet në shenjë proteste kundër kapjes së shtetit nga krimi dhe nga korrupsioni, Delegacioni i BE-së në Tiranë shkroi:
“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë”.
Është krejtësisht e pavërtetë se 930 nga 1,000 shqiptarë të intervistuar në vitin 2018 për Eurobarometrin plotësisht pajtohen me deklaratën, “ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE,” nënvizon Exit.al.
Ata asnjëherë nuk janë pyetur nëse lënia e mandateve nga opozita pengon ose jo demokracinë dhe integrimin e vendit. Në fakt, nëse marrim për të mirëqenë se opozita përfaqëson qytetarët të cilët votojnë për të, kjo do të thotë se gati gjysma e votuesve e mbështesin vendimin e opozitës për të lënë mandatet, pavarësisht pengimit të procesit të integrimit në BE.
E vërteta është se: preferencat nuk janë absolute — sikurse do të dëshironte Delegacioni i BE-së — por relative.
Deklaratat e njëpasnjëshme të autokratëve, në mbrojtje apo në kundërshti të një vendimi politik tregojnë keqkuptimin thelbësor të asaj çfarë përfaqëson gjetja e Eurobarometrit: një qendrim të përgjithshëm kundrejt BE-së, i cili nuk mund të përdoret në funksion të ndjenjave specifike mbi situatën aktuale politike në vend.
Por, fatkeqësisht kjo është ekzaktësisht çfarë Delegacioni i BE-së në Tiranë – në mënyrë të pasinqertë—po përpiqet të bëjë.
Diskutime rreth kësaj post